Kjo ishte ujdia që e bëri Kurti më 2017 me Ambasadën Amerikane për të ardhur në pushtet

Kjo ishte ujdia që e bëri Kurti më 2017 me Ambasadën Amerikane për të ardhur në pushtet

Prishtinë, 19 janar 2020, e diele – Sot përfundon një tjetër javë që e zë Kosovën të paralizuar politikisht në planin e brendshëm dhe të dërrmuar në planin e jashtëm. Masakra e Reçakut duket si një ndodhi e largët, aq e largët sa nuk ka të bëj me fatin tonë. Papunësia e pabarazia po masakron shpresat e qytetarëve të vendit sot. Ndërkohë qeveria e ndryshimit nuk po formohet për shkak të… luftës për sa më shumë pozita qeveritare.

A është Kosova një shtet i dështuar? Në prag të 12 vjetorit të Pavarësisë, sakrifica e gjithë atyre njerëzve që u masakruan e vranë, persekutuan e torturuan, plagosën e sakatuan është vënë në harresë. Tubimet përkujtimore duket sikur me përsëritjen bajate kanë për qëllim thjesht vënien në harresë, domethënë të kundërtën e kujtimit.

Kështu ndodhi edhe në Reçak ditën e 15 janarit. Homazhet e bëra u degdisën në margjina të lajmeve shkaku i politikanëve të sotëm, Thaçit e Kurtit. Mediat u ngutën të tregonin për marrëdhëniet personale të këtyre dyve. Se si vetëm ishin shikuar me njëri-tjetrin, por pa folur, edhe pse kishin qenë fare afër. Më pas, një aktivist i Vetëvendosjes manipuloi një video ku dukej ish ambasadori i OSBE-së, William Walker duke shpërfillur presidentin e Kosovës. Me një fjalë, përdhosje e shëmtuar e përkujtimit. Masakra e Reçakut u bë thjesht një pjesëz e re e fushës së luftës ku politikanët tanë me ego të brishta bëhen sikur ndër-luftojnë me njëri tjetrin.

Poshtërsi e pa-skaj!

Ndërkohë, po gjatë kësaj jave, Lidhja Demokratike e Kosovës i bëri një ofertë Lëvizjes Vetëvendosje për të arritur marrëveshjen për Qeverinë e Re të vendit. Partia e drejtuar nga z.Mustafa propozoi që kryetarin e Kuvendit ta merrte për vete deri në kohën e zgjedhjes së presidentit. Sapo të zgjidhej presidenti i ri i Kosovës nga kjo parti, LDK do t’i jepte menjëherë pozitën e kryetarit të Kuvendit partisë së z.Kurti.

Por, kjo ofertë u refuzua menjëherë nga Lëvizja Vetëvendosje që vazhdon të sillet në mënyrë fëmijërore. Kurti i dërgoi një letër refuzimi z.Mustafa të gjatë dy fletë A4, por e cila ishte tepër joserioze e inkonsistente. Bile, ndoshta në vend të letrës do të ishte mirë thjesht t’i thoshte “Piu maca ujë!” për pozitën e kryetarit të Kuvendit.

Tanimë, Kurti kërkon që partia e tij t’i ketë të dy pozitat e rëndësishme udhëheqëse në vend. Për pozitën e z.Konjufca, kryetarin e Kuvendit, i ka ofruar asaj partie një ministri shtesë.

Kryetari i Kuvendit = Një ministri?

Ndërkohë, në LDK shpërtheu edhe një luftë e brendshme. Vjosa Osmani vazhdoi të përlahej me z.Agim Veliu duke kërkuar që sa më shpejt të formohej qeveria e re e Kosovës. Veliu ndërkohë e ka konsideruar si joserioze trajtimin që po i bën Vetëvendosje partisë së tyre.

Por, Vjosa na zbardhi edhe një gjë mjaft problematike që kishte ndodhur në dhjetorin e 2017-s. Partia që zotohej për të mbrojtur sakrificën dhe vlerat e luftës, partia që kishte qenë radikalisht kundër Gjykatës Speciale, në fund kishte pranuar një ujdi sipas së cilës kjo gjykatë nuk do të shfuqizohej.

E gjithë kjo në kuadër të përpjekjes ndërkombëtare për të balancuar krimet e luftës sipas së cilës Kosova ishte viktimë po aq sa Serbia. Kosova ishte agresore po aq sa Serbia.

Kjo ujdi duket se e solli në pushtet partinë e z.Kurti dhe partinë e z.Mustafa. Një ujdi e ngjashme me ato që i bënte PDK-ja më përpara. E keqe për vendin dhe që ndryshonte rrënjësisht historinë.

Le ta themi këtu për hir të së vërtetës: Kosova ishte viktimë e ngjarjeve të luftës dhe Serbia ishte agresore. Kosova duhet të marrë kërkim-falje dhe reparacione. Qytetarët e Kosovës të cilët e pësuan gjatë luftës duhet të dëmshpërblehen. Jo vetëm ata që humbën më të dashurit e tyre, jo vetëm ata që u plagosën, por edhe ata që e pësuan materialisht me shtëpi e biznese të djegura.

Kjo do të ishte drejtësi për ne!

Por, duket se kujt s’i bën më për drejtësinë. Drejtësia është ajo që i leverdis tekeve dhe shkon deri aty sa shkon pushteti i një filan politikanit kosovar!

Shpërndaje në: