“Kjo situatë është shumë e keqe”, bllokada detyron serbët të ecin me kilometra

“Kjo situatë është shumë e keqe”, bllokada detyron serbët të ecin me kilometra

Pikënisja e tyre ndodhet kilometra larg. E gjithë rrugën dy banorë nga Leposaviçi, e bënë në këmbë.

Telashet për të udhëtuar drejt Beogradit, u shfaqën si pasojë e bllokadës së krijuar nga vet serbët.

“Unë jam e sëmurë, kemi për të ecur katër kilometra. Atje do ta gjejmë një zgjidhje për udhëtim, do ta marrë terapinë. Kjo situatë është shumë e keqe për popullin këtu, politikanët janë fajtorë, ata duhet të ulen, të bisedojnë dhe ta rregullojnë situatën”, thotë Marina Radomiroviçi.

Dhjetëra qytetarë gjatë së martës, u detyruan të shfrytëzojnë të njëjtën formë të qarkullimit.

Kjo për shkak të bllokadës që u krijua nga banorët serb, për të kundërshtuar reciprocitetin e vendosur nga Qeveria e Kosovës, për tabelat e veturave që vinë nga Serbia.

Secili automjet i rëndë që u vendos si barrikadë, shoqërohej nga banorë serb që qëndronin afër.

Por, hapësirat e pakta në këtë rrugë, nuk ndaluan Policinë e Kosovësqë me njësitet e saj, të menaxhonin gjithë situatën.

Ata po qëndonin aty që nga mëngjesi i së hënës, prandaj disa prej tyre po largoheshin, për t’u ndërruar me dhjetëra të tjerë.

Se kanë qëndruar shumë gjatë, e tregojnë edhe qantat që po bartnin me vete, gjersa po largoheshin.

Përveç tyre gjatë tërë kohës këtu u panë edhe helikopterë që  e mbikëqyrnin situatën.

E përgjatë rrugës drejt kufirit, po qëndronin disa ambulanca serbe, raporton Express.

Megjithatë, të njëjtit patën kohë të argëtoheshin duke dëgjuar muzikë serbe.

Rrugës drejt kufirit, po vazhdojnë të qëndrojnë edhe disa kamionë nga Maqedonia, të cilët mbetën si pasojë e bllokadës, që nga dita e hënë.

Shpërndaje në: