Klinaku për Gjykatën Speciale: Është dashur që edhe unë të isha në burg si shokët e mi, se të gjitha gjërat i kemi bërë bashkë

Periskopi.com Lajme

Ushtruesi i detyrës i kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, deklaroi se nëse Gjykata Speciale do të vepronte siç duhet, atëherë do të duhej që fillimisht të arrestohej kryeprokurori Smith për shkak se siç tha, ‘nuk e kanë bërë hetimin e atyre skandaleve që kanë dal nga zyra e tyre’.

Po ashtu, duke e komentuar faktin që është përmendur edhe emri i tij gjatë leximit të aktakuzës ndaj të akuzuarve në Hagë, Klinaku u shpreh se për këtë nuk ka pasur nevojë, meqë sipas tij nëse donin të dilnin te ai, atëherë do ishte dashur që edhe ai si dy shokët e tij të OVL-së të ishte në burg, sepse deklaroi që të gjitha gjërat i kanë bërë së bashku.

“Këtë e konsideroj lojë politike se me kidnapimin e Haradinajt dhe Gucatit kanë menduar që do t’ia ndalin zërin organizatës së veteranëve të UÇK-së. Ne jemi mijëra veteranë, kemi struktura të organizuara, i kemi 31 degët tona në Kosovë dhe Tiranë. Nëse unë nuk jam, vjen tjetri që do t’i vazhdojë punët e organizatës”.

“Puna jonë e vazhdueshme si organizatë e veteranëve është që ta pengojmë këtë gjykatë se e kemi kundërshtuar edhe kur është themeluar, sepse është gjykatë që përveç se është politike, është gjykatë që nuk i ndjek krimet sepse do të duhej të ndiqeshin krimet dhe masakrat e Serbisë pushtuese dhe serbët që i kanë shkaktuar ato në Kosovë”, deklaroi Klinaku në emisionin Info Magazine në Klan Kosova.

Shpërndaje në: