Klinton sërish kryeson në sondazhet e fundit

Klinton sërish kryeson në sondazhet e fundit

Klinton shkoi në shtetin e Floridës, në tre qytete të ndryshme. Florida është me rëndësi të veçantë për garën dhe Trump ka pranuar se që të sigurojë fitoren e zgjedhjeve të javës së ardhshme, atij i duhet fillimisht të fitojë Floridën.

Disa anketa të kohëve të fundit tregojnë se Trump udhëheq me 1 për qind garën në këtë shtet, por mbetet ende i paqartë rezultati, në kushtet kur të dy kandidatët janë duke kryer vizita të shumta në këtë shtet gjatë ditëve të fundit para zgjedhjeve.

Trump vizitoi të martën dy shtete, ku Klinton ka kryesuar ndjeshëm garën: shtetin lindor të Pensilvanisë dhe atë qendror të Uiskonsinit, me shpresën për t’i ndryshuar votuesve mendimin në favor të tij; të mërkurën ai shkon përsëri në Florida.

Anketat në rang kombëtar vazhdojnë të tregojnë Hillary Klintonin si kryesuese të garës me Donald Trumpin, me 2-4 për qind.

Megjithatë, zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara nuk përcaktohen nga vota popullore, por nga rezultati në secilin prej 50 shteteve dhe kryeqytetit Uashington: shtetet më të mëdha kanë më tepër peshë në rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve.

Bazuar në rezultatet e secilit prej shteteve, kandidatit fitues i duhet të sigurojë të më shumë se 270 prej 538 votave të Kolegjit Elektoral.

Megjithëse anketat tregojnë për një fitore jo me shumicë të konsiderueshme të votës popullore nga zonja Klinton, analistët thonë se ajo pritet të fitojë bindshëm prej Kolegjit Elektoral.

Studiuesi i shkencave politike Alan Abramowitz, i tha Zërit të Amerikës se nuk sheh që ndonjëri prej 19 shteteve plus Uashingtonin, të cilët kanë së bashku 242 vota elektorale dhe që kanë votuar për kandidatët demokratë në 6 zgjedhjet e fundit presidenciale, që të ndryshojnë mendimin e tyre, duke votuar për zotin Trump.

Në se kjo pikëpamje materializohet, Hillary Klintonit do t’i nevojiteshin vetëm 28 vota elektorale më tepër për t’u bërë presidentja e 45-të e Shteteve të Bashkuara.

Kjo është arsyeja përse Florida, me 29 vota elektorale, një shtet shumë i rëndësishëm për zgjedhjet, do të ishte e mjaftueshme që Klinton të fitojë zgjedhjet, në se ajo fiton në të gjitha shtetet që votojnë për demokratët që nga viti 1992.

Shpërndaje në: