Klithmë nga padrejtësitë e Kosovës
Unë jam një kosovar i ri që ka përjetuar shumë gjëra në Kosovë. Kur nisi lufta unë isha 12 vjeçar, por edhe në atë moshë dashnia për një kosovë të lire nuk më mungonte. Kisha dëshirë t’i bashkohesha UÇK-së, që të paktën t’iu ndihmoja me ndonjë gjë.
Kur mbaroi lufta e të gjithë ishim të lire, ose të paktën një pjesë prej nesh, dhe ajo që ndodhi në luftë u harrua shumë shejt. Entuziazmi i lirisë nuk zgjati aq shumë, e të gjithë ne filluam të ndryshojmë. I harruam dëshmorët dhe familjet e dëshmorëve, ndërkohë që një pjesë e UÇK-së rendi pas parave në të gjitha mënyrat.
Para luftës, para çlirimit edhe pse nuk ishim të lire, do gjëra të këqija me të cilat përballemi sot nuk ekzistonin. Ose të paktën jo në një masë tillë, sa sot. Sot më shumë kushton të punësohesh në administratë të shtetit sesa të marrësh pagën nga ajo punë. Sot nuk ke teatër e kinema, qendra rekreative, nuk ka ndonjë fabrikë shtetërore si dikur, dhe në vend të këtyre ka me bollëk kazino, bastore, bordele, lokale nate, e të ngjashme.
Sot është e zorshme të jesh njeri i ndershëm sepse nuk ke me kënd të rrish. Është e vështirë të gjallosh e të gjendesh nëse nuk di të bësh dallavere. Disa ushtarë që luftuan dhe ishin në gjendje të sakrifikonin jetën për të mbrojtur vendin tone, sot nuk kanë shtëpi dhe ndodh të dalin nëpër rrugët e Prishtinës për të mbledhur kanaqe për të fituar bukën e gojës ndërkohë që disa bashkëluftëtarë të tyre sot sorollaten me vetura të shtrenjta e me bodigarda rreth tyre.
Sot një ushtar i UÇK-së, i mbetur invalid, nuk ka as se ku të mjekohet. Pret një pension invalidor për të ushqyer familjen e tij – e ndërkohë që disa prej qeveritarëve tanë, që u bënë invalid nga mendja, shpenzojnë shuma të majme për parfume aq sa merr një invalid.
Sot vetëm me një rrugë mund t’i numërosh 12 a më shumë kazino. E vetmja rrugë që iu lë vendi ynë të rinjëve është që të provojnë fatin. Të përpjesëtojnë atë me një të njëqindtën, se mos ndoshta dalin nga varfëria. Shumë të rinj kanë bërë vetëvrasje nga zhgënjimi që e shpërndan pa kursim shoqëria jonë. Sot më hesap ke të marrësh para me fajde, se të marrësh një kredi nga bankat tona. Përdorimi i drogave bëhet ashiqare por askush nuk vepron. Nga një vend i besës, drejtësisë e fjalës, ne u bëmë vend i gënjeshtrave, tradhtive, urrejtjeve – sepse kështu u rrotullis rrota e kazinos nga pushtetarët tanë. Sot njeriu mund të dënohet me burg nëse aksidentalisht e godet dikënd në rrugë, apo edhe nëse I ikë tatitimit – se fundja kjo ndodh gjithkund – por nuk shkon nëse e vret një njeri, nëse e keqpërdorë buxhetin e shtetit, nuk dënohesh nëse shet drogë, nëse jep para me fajde. Shteti i ka mbyllur rrugët e mira, dhe i ka shtruar ato të këqijat.
Unë jam një kosovar si ju, që i ka përjetuar të gjitha këto gjëra, që i sheh të gjitha këto, por vendosa të shkruaj këtë letër sepse nuk kam më shpresë. Së shpejti do të bëhem baba, pork am shumë frikë së pari, për kujdesin që do t’i ofrohet gruas sime në spital nëse nuk iu ofroj mjekëve para shtesë, siç bën shumica.
Ju i dini poaq mirë se unë ndyrësitë me të cilat përballemi përditë. Padrejtësitë që i shpërndan shteti ynë për të gjithë ne. Iu lus të gjithëve që të bëhemi të vendosur, të largojmë mendimet e këqija dhe të duam njëri-tjetrin e të bisedojmë për gjëra të mira. Të mundim të keqen!
Në fund, iu uroj shëndet, lumturi e dituri të gjithë popullit tim kosovar!