Koalicionet VV-PDK: Përplasja e këtyre partive nisi në vitin 2006 kur Thaçi i shkoi në varrim Rugovës

Koalicionet VV-PDK: Përplasja e këtyre partive nisi në vitin 2006 kur Thaçi i shkoi në varrim Rugovës

VV dhe PDK kanë pasur marrëdhënie mjaft të këqija mes vete për më shumë se një dekadë. Por, si kishte nisur prishja e tyre? 

VV ka nisur aktivitetin e saj politik si Lëvizje duke e sulmuar ish presidentin Ibrahim Rugova. Madje, Lëvizja e udhëhequr nga Kurti i vinte atij edhe etiketën e rëndë të kolaboracionistit. Në këtë pikë, duket se nisi edhe sherri me PDK-në e Hashim Thaçit që në vitin 2006 ishte parti opozitare.

Në shkrimin e asaj kohe të titulluar “Gjaku i Humbur”, Vetëvendosje akuzonte Thaçin që i kishte shkuar në varrim ish presidentit të ndjerë që kishte ndërruar jetë në fund të janarit të ftohtë të atij viti.

“Në varrimin e Rugovës nuk ishte familja Jashari, nuk ishte Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe nuk ishin edhe shumë bashkëluftëtarë e atdhetarë të cilët e dinin dëmin politik që Kosovës i bëri Rugova e rugovizmi. Por ti [Hashim] ishe aty dhe nuk të vinte fare turp sepse tani më nuk dalloheshe nga ai.” – shkruante Vetëvendosje.

Prishja përfundimtare mes VV-së që protestonte në rrugë dhe PDK-së që bënte opozitë në Kuvend kishte ndodhur në fund të vitit 2006. Në atë vakt, grupi i Kurtit kishte akuzuar Hashim Thaçin se në një tubim të mbajtur në Prizren kishte folur keq diçka për Albinin, shkruan Periskopi.

Pjesa tjetër e raportit VV-PDK dihet. Akuza të shumta për një varg çështjesh të ndryshme, filluar nga korrupsioni e vazhduar me tradhti kombëtare.

Sidoqoftë, ndër vite këto dy parti kanë këmbyer kuadro të shumta me njëra tjetrën. Por, kjo nuk e bënte më pak të hidhët raportin e gjithëmbarshëm mes partive.

Pas ndarjes së PSD-së nga VV-ja, ishte Dardan Molliqaj ai që u mundua të shfrytëzonte sentimentin anti-PDK duke i treguar popullit një video në të cilën shihej Kurti duke thënë që PDK-ja ishte konstantja e pushtetit në Kosovë duke nënkuptuar se duhej të bënin koalicion me partinë që drejtohej nga Kadri Veseli.

Mes viteve 2010 dhe 2020 çfarëdo koalicioni mes VV-së dhe PDK-së dukej i pamundur, për shkak se partia e Kurtit i kishte vënë partisë së dalë nga lufta “vijë të kuqe” për shkak të (sic) korrupsionit dhe koncesioneve në negociatat me Serbinë.

Por, gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht prej ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet në mars të vitit të kaluar [2021] dhe tashmë nga partia e Kurtit PDK-ja ka qenë partneri i preferuar për koalicione qeverisëse në nivel komunal. Në dy prej katër komunave, Podujevë e Gjilan, ata kanë bërë koalicion me PDK-në. Në Kamenicë me AAK-në. Ndërsa në Shtime nuk dihet.

 

Shpërndaje në: