Koalicioni i Shpresës, apo si na ndodhë që rregullisht t’i gëzohemi zbulimit të ujit të nxehtë?

Koalicioni i Shpresës, apo si na ndodhë që rregullisht t’i gëzohemi zbulimit të ujit të nxehtë?

Çfarë shpërfaqën ekstremet emotive popullore, prej entuziazmit kolektiv deri te zhgënjimi personal, në këtë telenovelën lokale të titulluar ‘Arritja e Koalicionit të Shpresës’? Vërtet, a mësuam gjë nga dallimi i madh mes politikës që po ekzistoka realisht dhe asaj që vazhdon të jetojë nëpër vargjet e rilindasve dhe në patetikën e postimeve në Facebook? Mendojmë se jo. Larg asaj.

Vështrim i Periskopit

Si u bë që nga pritjet maksimale të zbresim tek shpresat minimale? Dhe, sa shpejtë ndodhi ky reduktim? Tre muaj më herët flitej për çlirimin e dytë të Kosovës, për fundin e periudhës së pazareve dhe për fillimin e epokës së shpresës e zhvillimit.

Po sot?

Tre muaj më vonë, shpresojmë vetëm që ta kemi një qeveri. Çfarëdo qoftë ajo. Shpresojmë vetëm të mos kemi kolaps buxhetor, bllokadë parlamentare e izolim ndërkombëtar. E pabesueshme, nëse vështrohet kësisoj kjo farsa jonë elektorale.

Përafërsisht, kronologjia e reduktimit të entuziazmit adoleshent popullor do të dukej si në vijim:

-Më 6 tetor flisnim e postonim për fitoren biblike të së Mirës ndaj të Keqes;

-Më 6 nëntor filluam ta vërejmë se fitorja paska qenë Relative;

-Më 6 dhjetor filluam ta pranojmë se fitorja po kërcënohet nga Kompromisi;

-Më 6 janar përfunduam duke e kuptuar kompromisin si Fitore.

Krejt ky evolucion, nga ekzaltimi totemist para-mesjetar deri te racionaliteti redukcionist i bashkëkohësisë, na ndodhi brenda tre muajve. Fascinante, do të pajtoheshit. Për më tepër, do të shtonim se në gishta mund të numërohen shoqëritë që me këso shpejtësie zhvilluan evoluimin e mendësisë politike. Tre shekuj të tërë, për vetëm tre muaj 🙂

Mirëpo, a është vërtet kështu?

Çfarë shpërfaqën këto ekstremet emotive popullore, prej entuziazmit kolektiv deri te zhgënjimi personal, në këtë telenovelën lokale të titulluar ‘Koalicioni i Shpresës’? Vërtet, a mësuam gjë nga dallimi i madh mes politikës që po ekzistoka realisht dhe asaj që vazhdon të jetojë nëpër vargjet e rilindasve dhe në patetikën e postimeve në Facebook?

Mendojmë se jo. Madje, larg asaj.

Sikurse edhe dhjetëra herë më parë, edhe në këtë cikël zgjedhor u përsërit rituali endemik i kulturës vendore: arsenali i premtimeve të pamundshme u përdor sa për ta përjashtuar një grup shoqëror nga kontrolli i arkës publike, dhe për ta akomoduar një tjetër. Dhe, sikurse edhe më herët, ky proces u përmbyll me harkoren e vjetër propagandistike: filloi me ditirambet mbi arritjen e të pamundshmes për t’u reduktuar në elegjinë e sotme për arritjen e një koalicioni të mundshëm. Tre muaj më herët debatohej për koncepte të reja e narrativë progresivë; sot grindemi për poste e persona me emër e mbiemër. Dje diskutohej Fondi Sovran dhe Banka Zhvillimore, sot zhagitet fati i Ministrisë së Brendshme dhe numri i zëvendësve të Kryeministrit.

Sikurse edhe dhjetëra herë më parë, shuplaka që morëm nga besimi në të pamundshmen do të na detyrojë t’i gëzohemi të mundshmes. Të gëzohemi që për kushedi të satën herë e zbuluam ujin e nxehtë: atë se politika qenka e komplikuar, se marrëveshjet qenkan të vështira dhe se problemet shoqërore qenkan më të thella.

Për çka na flet e gjithë kjo xhiro e kotë që e nisëm me trimërim të vetes teksa dërdëllisnim mbi politikën si mision etik e romantik kombëtar, që e vazhduam duke u armiqësuar me njëri-tjetrin teksa përplaseshim me fraza boshe mbi parimet ideologjike – dhe që do ta përfundojmë duke pranuar se nuk kemi ku ta çojmë njëri-tjetrin dhe se, me gjasë, jemi të dënuar në bashkëpunim e bashkëjetesë?

Mendojmë se flet për të kundërtën e evolucionit të mendësisë dhe zhvillimit të shoqërisë.

Pra, flet për revolucionin – jo si përmbysje, por vetëm si rrotullim. Flet për rreth-rrugëtimin që fillon nga pika zero dhe kthehet sërish në të. Flet për revolucionin tonë të mjerë si shoqëri që përhershëm lëvizë brenda rrethit të trasuar nga padituria dhe naiviteti. Për aftësinë e marrëzisë kolektive që të përsëritet pafundësisht, saherë që ndihmohet nga moralizimet, thjeshtësimet e përgjithësimet.

Andaj, krejt në fund, çfarë mendoni se do të bëjmë nesër?

Si rëndom, do t’i kthehemi zanatit të vjetër nga pika zero: do t’ia fillojmë me ankesa se këtu nuk ka shtet, se na duhet ndryshim, se duhet të del dikush të na shpëtojë; do të vazhdojmë të besojmë se ka shpresë dhe do të përfundojmë duke deklaruar se vetëm zgjedhjet janë zgjidhje.

Tekefundit, këtë e ka mendësia revolucionare.

 

Shpërndaje në: