Kodi Etik: Ministrave në Shqipëri u ndalohet të shkojnë në bare, kazino e të takojnë biznesmenë

Kodi Etik: Ministrave në Shqipëri u ndalohet të shkojnë në bare, kazino e të takojnë biznesmenë

Qeveria në Shqipëri po synon të disiplinojë anëtarët e kabinetit me ndryshime të Kodit të Etikës. Në vendimin e fundit të publikuar, ministrave thuhet se u ndalohet të hyjnë në kazino. Për të ulur shpenzimet, ata nuk duhet të organizojnë festa me personelin apo persona të tjerë me fonde të buxhetit të shtetit.

Kursime parashikohen edhe për udhëtimet e zyrtarëve të qeverisë. Anëtarëve të kabinetit nuk u lejohet të udhëtojnë në ‘first class apo business class’ në Evropë dhe as personeli që e shoqëron në udhëtime të ndryshme.

Me anë të ndryshimeve të fundit ministrat nuk do të pranojnë bileta udhëtimi të paguara nga një person apo kompani private për veten apo për familjarët, shkruan AbcNews.al.

Tashmë anëtarët e kabinetit qeveritar nuk mund të përdorin sallën VIP të aeroportit për familjarët e vet, në rast se nuk udhëton ai vetë apo të udhëtojë me automjetin zyrtar për familjarët e vet dhe nga familjarët e vet, kur nuk është vetë i pranishëm në automjet.

Ndryshimet e kodit etik ndalojnë tashmë edhe frekuentimin e bareve dhe restoranteve me përjashtim të ditëve të pushimit dhe festave zyrtare, apo në raste të veçanta për arsye pune.

Ndër të tjera, kabineti Rama ndalohet të zhvillojë takime me përfaqësues të biznesit apo grupeve të interesit pa praninë e dy nëpunësve të lartë të ministrisë përkatëse dhe pa mbajtur minutat e takimeve, regjistrimin e identitetit të personave të përfshirë në këto takime, si dhe evidentimin e çështjeve të diskutuara.

Në rast të konstatimit të shkeljeve, Komisioni i Etikës ia bën me dije kryeministrit nëpërmjet një akti me shkrim i cili në varësi të shkeljes jep vërejtje,  paralajmërim për shkarkim nga detyra si dhe  shkarkim nga detyra në rast të shkeljeve të rënda.

Shpërndaje në: