Koha kur Agimi i Albinit e çonte në qiell Hashim Thaçin

Koha kur Agimi i Albinit e çonte në qiell Hashim Thaçin

Një video ku dëgjohet kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri, duke iu thurur lavde ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, është bërë virale në rrjete sociale.

Shpërndarja e kësaj videoje ka filluar pas protestës që organizoi dje Dega e Vetëvendosjes në Mitrovicë kundër kandidatit të PDK’së, Bedri Hamzës, ku aktivistët e VV’së protestonin me parullën “Agimi i Albinit, Bedriu i Hashimit”.

Në këtë video dëgjohet Bahtiri duke thënë se ata janë njerëzit më të fuqishëm të vendit, që i dolën zot atdheut në kohën e luftës.

“Së pari ju përshëndes të gjithë juve që jeni të pranishëm këtu. Faleminderit prej presidentit dhe kryetarit të parlamentit që më kanë ftuar në këtë ceremoni jashtëzakonisht të mirë, në të cilën janë mbledh njerëzit më të fuqishëm të Kosovës. Është kënaqësi, qoftë në vendimarrje aktuale, por qoftë edhe në atë kohën kur u duftë me i dal zot atdheut, ju jeni kanë aty. Ju falenderoj shumë që na e ke dhanë mundësinë që ne sot të lëvizim të lirë, të jetojmë të lirë në një shtet të pavarur dhe një shtet sovran, i cili ta jep të drejtën edhe në pushtetin lokal edhe qëndror ta qeverim këtë popull qysh është më së miri”, kishte thënë Bahtiri në këtë tubim.

Ndryshe, pas deklaratës në Pressing të kandidatit të PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili tha se ka aktivistë të VV-së që po e mbështesin, nga dega e VV-së në Mitrovicë ka protestuar..

“Agimi i Albinit, Bedriu i Hashimit”, shkruhej në parullat e aktivistëve të VV-së që dolën për të protestuar në sheshin e Mitrovicës.

“Unë jam një kandidat për Mitrovicën përtej Partisë Demokratike për shkak se jam i përkrahur edhe nga subjektet e tjera politike. Edhe nga Aleanca Kosova e Re, edhe nga Partia e Drejtësisë, edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, subjekte politike me atë fuqi politike që kanë”, sqaroi ai.Të jeni të bindur që kam përkrahje edhe nga njerëz që u takojnë subjekteve politike që kandidatët e tyre i kanë në garë, sidomos elektorat i caktuar i Vetëvendosjes”, kishte deklaruar Hamza.

“Bahtiri në Vetëvendosje ka ardhur shumë vonë dhe një pjesë e elektoratit ndoshta s’e njohin, ndoshta s’e pranojnë dhe ata janë përcaktuar për të më përkrahur mua në këtë proces zgjedhor. Po flas për aktivistë të VV’së të cilët kanë qenë qysh nga themelimi”, kishte sqaruar Hamza.

 

Shpërndaje në: