Koha për futsall

Koha për futsall

Angazhimi i Arben Simitçiut ne krye të ekipit kombëtar A të Futsallit, Suad Keqit dhe ndihëmsit Haki Ahmeti te grupmoshat e reja, pastaj Superliga me disa ekipe serioze që brenda tyre kanë lojtarë kualitativ nga Brazili dhe Kolumbia, do të duhej të tërhiqnin edhe më tepër vëmendjen e opinionit tonë për zhvillimin e kësaj pjese atraktive të lojës magjike.

Nesër dhe pasnesër Kombëtarja jonë e Futsallit do të zhvillojë dy ndeshje miqësore me Holandën si mysafire nën drejtimin e ish lojtarit dhe trajnerit të njohur Beni Simitçiut i cili ka fituar tituj kampioni me klubin nga Çekia, Benagon.

Sukseset e tij ndikuan në ftesën që i bëri FFK e që në këtë drejtim udhëhiqet nga ish futbollisti jonë Arben Zhjeqi i cili po e drejton Futsallin në rrugën e duhur . Do të jenë këto dy duelet e para të cilat do ti ndihmojnë Simitçiut të krijojë një pasqyrë më të qartë se ku jemi si Kombëtare dhe sa shpejt mund të ngjitemi në majat e Futsallit evropian i cili dita ditës po bëhet më i fuqishëm.

Edhe pse shumë lojtarë kualitativ të Futsallit na ikën te Shqipëria për arsye pasaporte, Kosova ka përsëri lojtarë kualitativ në Futsall, ngase ky sport është tepër i dashur te ne.

Reformat në Futsall kanë filluar dhe nuk ka dyshim se do të ketë zhvillime. Superliga jonë e Futsallit është ndër më të fortat në Rajon me klube të organizuara mirë të cilat në përbërjet e tyre kanë lojtarë cilësor nga Brazili dhe Kolumbia.

Ekipi i sapo krijuar Liqeni ka 3 reprezentues kolumbian, Mabetex Prishtina dhe Prishtina 01 brazilian, ndërsa pritet që edhe klubet tjera të angazhohen në këtë drejtim në mënyrë që kampionati të jetë sa më konkurrues.

Tani ajo që mbetet është që klubet të forcohen sa më shumë dhe kampioni të shkojë sa më larg në Ligën e Kampionëve në mënyrë që të rritet koeficienti për Shtetin tonë për ti mundësuar edhe klubit të dytë pjesëmarrjen.

Kjo don pak kohë por me këtë angazhim që po bëhet, qëllimi një ditë do të arrihet. Definitivisht koha është për Futsall dhe të gjithë duhet ta përkrahim sa më shumë. Në fund të fundit, mund ti paramendojmë se si do të jenë të stërmbushura me nga 2-3 mijë shikues palestrat pas kalimit të Pandemisë.

Shpërndaje në: