Koka i Vitit 2021 nga Periskopi: Deputet Jahjaja

Koka i Vitit 2021 nga Periskopi: Deputet Jahjaja

Periskopi, më saktë redaksia e angazhuar për artikuj festivë, ka vendosur që krahas Personalitetittë Vitit dhe Lugatit të Vitit të ndajë edhe çmimin Koka i Vitit.

Duke qenë se Kosova është një vend i vogël me kapacitete të kufizuara shkencore, dhe duke qenë se Akademia e Shkencave (AshAK) vazhdon të udhëhiqet nga një gazetar (Mehmet Kraja), si kriter për të fituar çmimin “KOKA I VITIT” kemi vënë nxitjen e kërshërisë shkencore te populli i thjeshtë.

Nuk është e thënë që fituesi i çmimit të ketë bërë ndonjë zbulim të rëndësishëm shkencor, e nuk është e thënë as që fituesi të jetë anëtar ose ish anëtar i LDK-së. Fitues mund të jetë kushdo që ka kontribuuar në sferën publike duke nxitë kërshërinë shkencore.

Raketa në hapësirë

Për vitin 2021, redaksia ka shqyrtuar një varg kandidaturash. Sidoqoftë, një kandidat shquhej vazhdimisht e vazhdimisht dhe ngulmonte të ishte fitues. Fjala është për deputetin dhe astrofizikanin e Vetëvendosjen, Jahja Kokën.

Gjatë gjithë këtij viti, shkencëtari (emri i të cilit mund të shquhet sipas dëshirës si “Jahjaja” apo edhe “Jahjau”) ka bërë një varg fjalimesh interesante në Kuvend (por jo vetëm). Këto fjalime gati asnjëherë nuk reshtnin së qeni ngacmuese, dhe të cilat ndillnin kërshërinë e popullit për të kuptuar më shumë për shkencën, e në veçanti fotonet (thërmija të vogla që përbëjnë valët e radiacionit elektromagnetik).

Koka u popullarizua gjatë këtij viti veçanërisht me premtimin e tij se gjatë mandatit të Albin Kurtit si kryeministër do ta çonte një satelit në hapësirë me anë të një rakete të vogël. Shumë njerëz ishin tallur me këtë premtim, por një pakicë megjithatë kishte fituar më shumë kërshëri shkencore për çështjen. Periskopi kishte treguar se në rast se Koka e realizonte premtimin, Kosova do të bëhej vetëm shteti i dymbëdhjetë në botë që e bën një gjë të tillë- e që përbën sukses të madh e historik për vendin.

“Në fillim të injorojnë, më pas të përqeshin, edhe më pas të luftojnë, e edhe më pas ti fiton,” – ka thënë Mahatma Gandhi.

Për raketën në hapësirë janë shprehur edhe shumë e shumë politikanë vendorë, megjithëse një gjë të tillë nuk e ka bërë shefi i partisë së Kokës, Albin Kurti. Nuk dihen arsyet e kësaj heshtjeje. Kokaj megjithatë kishte thënë se kryeministri e kishte mirëkuptuar në ambicien e tij. 

“…Po të kishin kryer vetëm shkollën fillore – po e përmendi, vetëm shkollën fillore –  do ta kuptonin se ç’është shpejtësia parakozmike. Do ta kuptonin numrin 7.9 kilometra në sekondë. Do ta kuptonin pra, po e përsëris disa herë, numrin 7.9 kilometra në sekondë.” – Jahja Koka.

Në anën tjetër, shkruan Periskopi, duhet shpejtësia e dytë kozmike që raketa të largohet nga toka: 11.2 kilometra në sekondë. Kjo është shpejtësia të cilën duhet ta arrijë raketa në mënyrë që të largohet nga fusha gravitacionale dhe të fluturojë në planetet tjera.

ShkenËca

Për fat të keq, deputeti i Vetëvendosjes në statuset e tij në Facebook nuk kishte qenë aq i kujdesshëm me gjuhën, duke bërë shumë gabime drejtshkrimore, çka kishte shtyrë shumë qytetarë të mos besonin në projektin e tij madhor.

Në një status, madje ai i kishte bërë diku 130 gabime drejtshkrimore. Nuk dihet se për çfarë arsyesh z. Koka shkruan me aq shumë gabime, por një hipotezë mund të jetë se ai përmes një gjëje të tillë provon t’i shifrojë fjalitë e tij që të mos kuptohen nga vendet armike apo edhe rivale të Kosovës.

Si argument për një çështje të tillë, mund të përmendim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Ky i fundit, vetëm pasi Jahja Kokaj prezantoi ambicien e tij për raketën kosovare në hapësirë tregoi se kishte kontraktuar kompaninë e multimiliarderit Elon Musk për t’i çuar dy satelitë shqiptarë në hapësirë. Rastësi? Nuk e besojmë!

“Tani jeni të informuar se qeveria shqiptare do të lansojojë të paktën një satelit në orbitën e Tokës.” – kishte thënë z. Koka me anë të një reagimi për satelitin shqiptar. 

‘Kërthiza’ energjetike

Së fundi, Koka kishte pasur fjalë të urta e frymëzuese edhe për çështjen e krizës energjetike. Në një seancë plenare të Kuvendi të Kosovës, pardje më 28 dhjetor, Jahjaja u shpreh se një mik i tij i vdekur e kishte pasur një ide për zgjidhje të problemit me prodhim të energjisë elektrike.

“Një tubim shkencor në vitin 2006, Albshkenca organizoi konferencë për zhvillimet energjetike në Kosovë dhe Shqipëri. Aty ishin njerëzit më kompetent shqiptar të globit dhe me grupe të caktuara morëm qëndrime të caktuara pas një debate një javor. Po e përmendi njërin, Avni Kurshumliun, që e kam pasë shok të klasës por tani është i vdekur por mesazhi i tij është i gjallë. Njeriu që punoi për katër dekada në Obiliq pati thënë që pjesët e Kosovës A të anulohen dhe të aftësohen me teknologji bashkëkohore filtruese dhe të aftësohet tërësisht pjesa e Kosovës B” – Jahja Koka.

Ndërkohë, Koka ka treguar edhe anën e tij pozitive të qetësimit të popullit me fjalë më optimiste. Pasi kryeministri Kurti kishte thënë që populli duhej të zgjedhte mes shtrenjtimit dhe reduktimeve të rrymës, Koka ishte shprehur se nuk do të ishte e largët dita kur rryma do të bëhej falas për krejt popullin.

“Jemi koshient që ka ekzistu vakuum apo mos-koordinim mes ministrive. Në këtë vakuum është gjeneru një situatë e pakëndshme e mos-mbajtjes së mësimit. Desha ta citoj një shkencëtare të famshme që thotë se “nëna dhe mësuesi nuk kanë të drejtë të sëmuren fare” – Jahja Koka. 

Shpërndaje në: