‘Kokëdhimbjen’ e ke të sigurtë pasi ta dëgjosh këngën e re të Mozzikut dhe Noizyt

‘Kokëdhimbjen’ e ke të sigurtë pasi ta dëgjosh këngën e re të Mozzikut dhe Noizyt

Sinqerisht, duhet të krijohet një listë me dhjetë apo njëzetë shprehjet apo tematikat që duhet të dënohen me ligj nëse përdoren nga artistët.

Kënga e re e Mozzikut dhe Noizyt, më shumë se gjithçka tjetër, të shkakton ankth dhe të jep njëfarë energjie që e kemi të vështirë ta shpjegojmë saktësisht çfarë, por është një që ta shkakton vetëm arti i keq.

‘Bonjour Madame’ titullohet kjo këngë. Mendoj, oh Zot, a bën ju lutem të ndaloni me këto gjëra. Është thjesht e tepërt.

Na ka ardhë në majë të hundës duke shkruar vetëm kritika negative e recensione… a kaq e pamundur është të na ofrojë dikush muzikë të mirë?

Dorën në zemër, me përfundimin e kësaj vere jemi qerasur paksa nga Dafina Zeqiri dhe albumin ‘Dafinë Moj’ por, pikërisht kur menduam se diçka ka ndryshuar, Mozzik dhe Noizy shkojnë publikojnë një këngë të tillë.

S’kemi çka analizojmë në të, është klishe, përsëritje fjalësh pa kurrfarë përmbajtje. Flasin për një femër e cila duket se është ‘self made’, në miks fusin edhe përmendjen e disa firmave të famshmeve të veshëmbathjeve – natyrisht – poashtu edhe atë tonin demode dhe tejet pa shije të përdorimit të shprehjeve bazike në Kosovë, Shqipëri e Gjermani, qartazi në tentativë dëshpëruese për të fituar audiencë e simpati gjithpërfshirëse.

Për Noizyn e themi zëshëm dhe qartë… ai është thjesht reper i dobët. E respektojmë mençurinë e tij sa i përket lëvizjeve brenda industrisë por nëse gjykojmë puro vetëm materialet e tij – sepse fundja vetëm ajo na intereson – ai është thjesht i dobët.

Po, ai që konsiderohet më i forti në Shqipëri plotëson standardet për dikë që konsiderohet i dobët në Kosovë.

Asnjëherë nuk e kemi dëgjuar atë duke performuar në nivelin më të lartë, po flasim për pakon e plotë: Delivery, rima të mençura, fllow dhe ritëm.

Albumi ‘Pak më ndryshe’ është më e mira që kemi mundur të shohim e dëgjojmë nga ai dhe ai album tash është në të kaluarën e largët.

Njeriu nuk thotë absolutisht asgjë për 40 sekonda sa dëgjohet duke ia futur kot në këngën me Mozzikun, jo se shndërrohet në Jay Z edhe ky tjetri në pjesën e vet.

E themi me keqardhje por ky projekt i ka të gjitha predispozitat e një këngeje të keqe. /Periskopi.com/

 

 

 

 

 

Shpërndaje në: