Koment i Periskopit | Rezultati i zgjedhjeve: Qytetarët nuk e duan më PDK-në

Koment i Periskopit | Rezultati i zgjedhjeve: Qytetarët nuk e duan më PDK-në

Balotazhi i jep fund një maratone të gjatë zgjedhjesh në Kosovë, të paktën për sivjet. Fituan ata që fituan, dhe humbën ata që humbën. Por, humbjet nuk ndalen vetëm tek kandidatët humbës. Humbës janë edhe vetë qytetarët e Kosovës.

Balotazhi nuk e legjitimon vullnetin qytetar, por në një masë të madhe e cënon atë. Qytetarët e shprehën vullnetin e tyre në raundin e parë, dhe nuk kishte asnjë arsye pse duhej ta bënin sërish një gjë të tillë. Kryesisht fituan ata që dolën të parët. Ndërkohë, ata që e përmbysën rezultatin, e bënë këtë përmes koalicionesh të ndryshme – shpesh joparimore. Koalicionet parazgjedhore në fakt, u bënë thuajse të detyrueshme. Kjo gjë përbën më shumë një aritmetikë të liderëve partiakë se një shprehje të qartë të vullnetit qytetar.

E këtu duhet përmendur edhe koston e lartë ekonomike.

Por, marrë parasysh që në Kosovë ditët e zgjedhjeve mbahen si ditë feste, qytetarët po e paguajnë me kënaqësi koston ekonomike. Televizionet e mbuluan gjithë ditën procesin zgjedhor. Për një ditë, Kosova sikur pauzoi nga çfarëdo zhvillimi. U bënë edhe dy ‘exit poll’-e, që në fakt, e dramatizuan edhe më shumë procesin zgjedhor duke ofruar rezultate të cilat rrodhën që në orën 6. Por këto ‘exit-polle’ ia huqën goxha shumë. Ta zëmë, me Prizrenin dhe Prishtinën. Prizreni u fitua nga Vetëvendosje, ndërkohë që në Prishtinë e kishte shumë më të zorshme sesa që parashihnin exit-pollet.

Por, marrë parasysh lojën e bërë nga liderët politikë në këtë periudhë balotazhi, fitues i madh del Albin Kurti – i cili ishte figura kryesore e fushatës së partisë së tij. Vetëvendosje e fitoi Prishtinën, Prizrenin dhe Kamenicën. Ndërkohë që ia doli t’i jepte humbjen PDK-së, përmes mbështetjes së oponentëve të saj, në Vushtrri dhe Mitrovicë.

Dhe pikërisht këtu zbulohet gjëja më e qartë që mësuam nga këto zgjedhje. Qytetarët nuk e duan më PDK-në. Ajo ka humbur një mori komunash, dhe është e rrezikuar në shumë e shumë të tjera. PDK humbi në Mitrovicë, Prizren, Klinë, Rahovec, Vushtrri, etj. Kjo rënje e madhe, bën që PDK-ja ta ketë seriozisht të rrezikuar ekzistencën e saj – marrë parasysh që nuk ka një profil të qartë ideologjik, dhe nuk ka ide për reformë e reflektim.

Një tjetër fitues është edhe Ramush Haradinaj. Fitorja e Obiliqit, Deqanit, Klinës, Gjakovës etj. mund të shihet si një sukses për partinë e tij.

Shpërndaje në: