Koment i Periskopit | 28 Nëntori dhe relacioni ynë i heshtur me veten

Koment i Periskopit | 28 Nëntori dhe relacioni ynë i heshtur me veten

Shqiptarët e Kosovës vazhdojnë ta festojnë 28 Nëntorin, ditën e pavarësisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane, dhe të identifikohen si shqiptarë. Ky identifikim është vazhdimësi e përpjekjeve disadekadëshe për ndërtimin e një narrative nacionale –  si reagim ndaj shpërfilljes që i bënte veçorive kulturore të kombeve ‘jugosllavizmi’. Ky identifikim u përfocua më tej gjatë viteve 90, kur shtypja ndërroi motivet, nga ideologjike në etnike duke u bërë edhe më e papranueshme – gjë që rezultoi edhe me luftë çlirimtare pak më vonë.

Por, pas lufte, festa e 28 nëntorit përgjithësisht dështoi të përkthehej në dashuri të njëmendtë qytetare për ideale të caktuara. Dështoi të ndillte përpjekje të reja, dhe angazhim më të madh e përmbajtësor për përmbysjen e pabarazive dhe klasës shtypëse shqiptare që u etablua në Kosovë e Shqipëri. 28 nëntori kësisoj, u përjetua si një ditë feste e arritjeve të deritashme, dhe jo si një ditë nxitëse për angazhime të tjera – tepër të nevojshme. Mënyra e festimit, vetë urimet, janë simptomë e një nënshtrimi të pakusht ndaj narrativës së këtyre elitave – të cilat rrezikun për qenësinë e kombit e projektojnë vazhdimisht jashtë vendit. Duke e mirëmbajtur kësisoj, një frymë organike e romantike nacionalizmi. Një etnicizim që ka për mësymja t’i mbajë gjërat në një vend, të pandryshuara.

Kombi nuk është një gjë e kryer. Ai është vazhdimisht në bërje. E Kosova dhe Shqipëria sot për sot, janë ndër vendet më të varfëra në Evropë që po shpërndajnë mes qytetarëve të tyre vetëm vuajtje, dëshpërim e zhgënjim. Papunësia është e lartë. Zhvillimi ekonomik është tepër i ngadaltë. Barazia gjinore e sociale duket një ëndërr e pambërritshme. Kultura është e shpërfillur. Dhe një gjallim të dinjitetshëm e bëjnë vetëm elitat e etabluara intelektuale e politike – të stërpërkushtuara që të kultivojnë iluzione. Këto probleme kanë bërë që dëshira për të ikur nga Kosova e Shqipëria drejt vendeve perëndimore, të jetë shumë e madhe te të rinjtë. Kjo tregon që dashuria virtuale festive për vendin nuk përcillet në përditshmëri, në realitet.

Por, ende nuk stimulohet e as simulohet një vetëdije nacionale që e projekton rrezikun te vetja. Që e shkundë dhe lëkundë botëkuptimin e vetëpërkryerjes. Që diagnistikon dhe kuron sëmundjet e tmerrshme prej të cilave lëngon shoqëria jonë. I përmendëm elitat korruptuese e abuzive me pushtetin politik e intelektual. Por, edhe përtej sferës institucionale e joinstitucionale që rroket nga pushteti i tyre, problemet mbesin shumë të mëdha. Një sëmundje e madhe është dembelia. Në një hulumtim të publikuar së voni, doli që kosovarët punojnë vetëm 2 orë në ditë mesatarisht. Mungesa e vullnetit për punë e çon një komb në zhdukje. Një frikë të tillë e kishte shkrimtari Michel Houellebecq për shoqërinë belge, e cila raportohet se poashtu thjesht nuk dëshiron të punojë.

28 Nëntori nuk do të duhej të ishte vetëm një festë ku përmenden arritjet kombëtare në relacion me të tjerët. Kjo është një tendencë që kalon në ksenofobi. Është e domosdoshme që të bëjmë ndonjë arritje në relacion me veten, të kapërcejmë veten, dhe këto arritje t’i shohim si suksese të mëdha kombëtare. Narracioni për vetëkapërcim, për ndërrim vlerash, për një konceptim të vetes si të përkryer është i domosdoshëm. Transformimi i festave kombëtare, nga evente ku shfryhet vetëkënaqje në evente ku bëhet thirrje për angazhim e vetëpërmirësim.

Ta zëmë, mund të festohet ndonjë hap i madh vetëdijësor, ku ne e marrim vesh kolektivisht që për diçka e kishim gabim dikur. Ose, edhe për ndonjë event simbolik që i forcon mekanizmat e rendit dhe të ligjit. Që e forcon bujqësinë. Ashtu si edhe ndonjë sukses në sport. Ndër tjera.

Por, është evidente se shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë dhe vendeve tjera me shqiptarë, vuajnë për ideale të reja e për angazhime të reja. E mbi të gjitha, vuajnë nga vjetërsia e koncepteve të deritashme që e bëjnë të ndihet i mjaftueshëm e i realizuar. Dhe nga mungesa e idealeve dhe ëndrrave të reja të përbashkëta.

 

Shpërndaje në: