Komisioni Hetimor për energji do të votojë për dëshmitarët që do të intervistohen

Komisioni Hetimor për energji do të votojë për dëshmitarët që do të intervistohen

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, sot do të votojë listën e dëshmitareve që do të ftohen për intervistim.

Ky komision që kryesohet nga deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, u iniciua nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kërkon që të hetohen aktivitetet në sektorin e energjisë në periudhën kohore 2006-2022.

Këtu përfshihet hetimi i investimeve kapitale në Korporatën Energjetike të Kosovës pas privatizimit të distribucionit në këtë kompani.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për themelimin e dy komisioneve hetimore për energjinë elektrike gjatë seancës së 5 majit, gjatë së cilës pati debate të ashpra.

Një komision hetimor është iniciuar nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe i njëjti do të kryesohet nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.

Shpërndaje në: