Komisioni jofunksional që shpenzoi mijëra euro

Komisioni jofunksional që shpenzoi mijëra euro

Që nga nëntori i vitit 2013 Komisioni Kosovar i Konkurrencës ka qenë jo funksional. Ka funksionuar pa bord menaxhues, nuk ka mbajtur asnjë mbledhje dhe nuk ka marrë asnjë vendim për operatorët që kanë shkelë konkurrencën.

Por përkundër kësaj, shpenzimet e institcionit të vetëm në Kosovë që mbikëqyrë rastet kur shkelet konkurrenca, kanë qenë mijëra euro, shkruan Gazeta Fjala.

Nga zyrtarët e këtij institucioni janë shpenzuar gjithsej 125 mijë euro vetëm për vitin 2015, edhe pse gjatë kësaj kohe nga stafi janë kryer vetëëm punë administrative.

Ndonëse ka qenë jo funksional, punëtorët kanë marr paga dhe meditje të majme.

Vetëm gjatë vitit të kaluar për paga dhe meditje janë shpenzuar 97 mijë e 902 euro. Ndërsa pjesa tjetër e shpënzimeve ka shkuar tek kateogria për mallëra dhe shërbime dhe një pjesë tjetër tek shpenzimet komunale.

Të punësuar për këtë përiudhë kanë qenë vetëm 12 punëtorë.

Auditori: Komisioni nuk i ka përmbushur detyrat

Përkundër që punëtorët janë paguar majmë, Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se Komisioni i Konkurrencës gjatë vitit 2015 nuk ka mbajtur asnjë mbledhje, duke rrezikuar kështu punën e tij si mbikëqyrës i monopoleve në treg.

“Menaxhmenti i KKK-së nuk mban takime të rregullta me zyrtarët në zinxhirin llogaridhënës, së paku mbajtja e takimeve nuk është dokumentuar në formën e një procesverbali ose në formën e raporteve. Po ashtu, mungon edhe raportimi me shkrim i dokumentuar nga zyrtarët për buxhet dhe financa dhe burime njerëzore”, thuhet në raportin e Auditorit për këtë institucion.

Sipas Auditorit, mos mbajtja e takimeve të rregullta, mungesa e dokumentimit të raportimit si dhe mos identifikimi i rreziqeve ka pasur si pasojë zvogëlimin e aftësisë së menaxhmentit për të reaguar me kohë ndaj sfidave, si dhe në mos përmbushjen e objektivave të organizatës me kohë.

Në tërësi sistemi i menaxhimit të rrezikut sipas Auditorit ka qenë jo funksional. Kjo është ndikuar në masë të madhe edhe nga mungesa e bordit të drejtorëve.

“Veç kësaj, KKK është duke u përballur me vështirësi në kryerjen e përgjegjësive dhe në arritjen e objektivave organizative. Kjo ngase vendimet lidhur me inspektimet e tregut hynë në kuadër të përgjegjësive ekskluzive të bordit”, konstaton Auditori.

Edhe në ueb faqen e këtij institucioni nuk figuron asnjë vendim për vitin 2015. Vendimi i fundit mban datën e 20 majt të vitit 2013.

Zyrtarët e KKK-së fajin e gjuajnë tek mungesa e bordit

Kryetari Kosovar i Konkurrencës, Valon Prestreshi, i cili në këtë detyrë është zgjedhur në qershor të këtij viti, këtë e arsyeton me mungesën e Bordit dhe instancave menaxhuese të këtij institucioni.

Që nga viti 2013 Komisioni nuk ka pasur bord, pa të cilin, sipas tij, nuk kanë mundur as të merren vendime.

“Komisioni i Autoritetit ka qenë jofunksional që nga nëntori i vitit 2013 për shkakë të përfundimit të mandatit të përbërjes së kaluar. Komisioni i Autoritetit tani është plotësisht funksional”, ka thënë Prestreshi për Gazetën Fjala, duke shtuar se me vendim të Kuvendit këtë vit është themeluar edhe Bordi.

Sa i përketet shpenzimeve, Prtestreshi ka pohuar se ato nuk lidhen me mungesën e instancave menaxhuese të institucionit. Sipas tij, numri i punëtorëve prej 12 sosh janë aty që nga viti 2009.

Por Auditori e ka vlerësuar si shkelje mos mbajtjen e mbledhjeve. Bile duke e cilësuar edhe me rrezikë për ekonominë e vendit mungesën e mbikëqyrjes në rastet kur shkelet konkurrenca.

Ndryshe puna e këtij institucioni është kritikuar shpesh për mungesë pune. Ndonëse ka pasur shumë dyshime për monopole në shumë sektorë të ekonomisë, vendimet që ka marrë ky institucion mund të numërohen në gishta. /Gazeta Fjala/

Shpërndaje në: