Kompania e drejtorit të Bordit në Infrakos, fiton tender mbi 62 mijë euro nga Trepça
Kompania e drejtorit të Infrakosit, z.Lulzim Beqiri, ka fituar një tender nga ndërmarrja publike ‘Trepça’ SHA, në vlerë mbi 62 mijë euro. Periskopi ka gjetur të dhënat dhe ka pyetur edhe z.Beqiri lidhur me këtë tender. Ai na thotë se ‘nuk di gjë për këtë’ dhe u duk i befasuar sikur lajmin po e dëgjon për herë të parë nga ne (Periskopi). Por, përgjatë navigimit të të dhënave, ne gjetëm diçka që s’duhej ta befasonte zotin Beqiri: numri i tij telefonit figuron në dokumentet e tenderit, dhe jo i dikujt tjetër. Për këtë punë, e kemi pyetur edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit…
***
Pak ditë pasi është emëruar drejtor i Bordit në kompaninë publike të Infrakosit, kompania ‘Kuota’ e Lulzim Beqirit është shpërblyer me një tender nga ndërmarrja tjetër publike ‘Trepça’, SHA, shkruan Periskopi.
Kështu, Lulzim Beqiri që u emërua drejtor Bordi nga kryeministri Albin Kurti, pos që figuron si pronar në kompaninë Kuota, shihet se është edhe menaxher i kompanisë që u rekomandua për kontratën “Furnizim me Hidroksid të Aluminit-Argjilë” në vlerë prej 62 mijë euro.
E gjithë kjo situatë përbën konflikt të interesit, pasi zyrtari i lartë publik (siç është Beqiri) nuk mund të jetë person i autorizuar në kompani -menaxher, e aq më pak të fitojë tender.
Periskopi ka kontaktuar zotin Beqiri dhe ai u duk i befasuar me lajmin se kompania e tij paska fituar një tender të tillë.
Megjithëse në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), kompania figuron nën emrin e tij si pronar dhe menaxher, z.Beqiri na tha se ‘nga kjo kompani ka hequr dorë në tërësi pasi ka pranuar pozitën e drejtorit në shtet”.
“Dua te sqaroj lidhur me pyetjen tuaj pasi qe edhe vet vi nga fusha e gazetarise dhe e shoh te arsyeshme me u sqaru. Une e kam hap kompaninë Kuota SHPK vitin 2021 me sa kujtoj ne shkurt 2021 me qëllimin e shtimit te aktivitetit banesor gjë qe nuk ka ece mire, dhe si rrjedhojë e mos dijes ne ate fushe e kam pezulluar edhe aktivitetin, as edhe nje euro nuk ka qene e qarkulluar ne kete kompani, personalisht vi nga fusha e gazetarisë dhe ekonomisë respektivisht nga fusha e auditimit, dhe ka qene e panjohur per mua fusha e ndërtimit”, na tha Beqiri në përgjigjen që po e publikojmë pa asnjë ndërhyrje.
Ai tha se e ka shitur kompaninë dhe se janë duke u bërë ndryshimet në ARBK për këtë.
“Prandaj me 15.03. 2022 kam fillu procedurat e tjetersimit te pronarit gje qe edhe i kam nenshkruar dokumentet e kerkuara me ligj, 1. Kontraten per Aksione, 2. Vendimin per ndryshim te stattit, pagesën e ndërrimit te pronarit dhe drejtorit menaxhues etj. Me sa kuptova procesi është ne duart e zyrtareve te ARBK-se dhe besoj sot gjate dites edhe behet ndërrimi i pronarit. Nese veq jeni te interesuar mundeni edhe ti shiqoni dokumentet e nenshkruara nga aksionari i ri te datës 15.03.2022, ua dergoj adresen e zyres dhe mund ti shihni, prandaj ju lus qe te keni ne konsiderat kete fakt”, ka thënë Beqiri.
Ai thotë se e ka kuptuar nga Periskopi se “Kuota” ka fituar tender.
“Fillimisht u ndiva i befasuar se kompania Kuota paska konkurua dikun, gje qe nuk jam merr me te tash e me shume se dy muaj pasiqe kjo kompani ka një titullar te ri. Po e perserise pasiqe vet jam pjese e mediave tash e 15 vite e ndjej te nevojshme te ju ofroj te gjitha materialet e nevojshme”, ka përfunduar drejtori i Bordit të “Infrakos”.
Sipas ARBK-së, kompania “Kuota” është themeluar më datë 29.03. 20121 dhe aktivitet kryesor e ka ‘ndërtim i objekteve banesore dhe jo banesore’. Shihet që është më 100 për qind të aksioneve nën emrin e Lulzim Beqiri dhe i njëjti është menaxher.
Tenderi është hapur më 7 prill, ndërsa fituesi është shpallur dje (e martë, 17 maj 2022). Bëhet fjalë për Hidroksid të Aluminit-Argjilë në sasi prej 150.00 ton për nevojat e industrisë kimike.
Për këtë tender kanë qenë në garë katër kompani: Të dhënat si më poshtë
“Est Engineering” SHPK në vlerë prej 56799, 30 euro.
“CMC Group” SHPK, në vlerë prej 64782, 00 euro.
“Kuota” SHPK në vlerë prej 62658, 00 euro.
“Setting Group” LL.C në vlerë prej 47798, 85 euro.
Kriter për dhënie të kontratës ka qenë ‘çmimi më i ulët’.
Pra, siç shihet dy kompani tjera kanë qenë më të lira se “Kuota”. Por, prokurimi i ndërmarrjes i ka eliminuar, pasi ka konstatuar se nuk i kanë përmbushur disa kërkesa tjera.
Megjithëse, Beqirit është ndjerë i befasuar se kompania “Kuota” ka garuar në një tender, në dokumentet e tenderit është i shënuar numri i tij i telefonit dhe jo i ndokujt tjetër. Bile në letrën standarde për tenderues të suksesshëm, prokurimi i është drejtuar direkt zotit Beiqri si ‘fitues i tenderit’, duke ia kumtuar lajmin (që ia kumtuam edhe ne, por u tregua i befasuar)
Edhe në formularin “njoftim për dhënie kontrate”, është i shënuar numri i telefonit të Beqirit.
Pas kontakteve me Beqirin, Periskopi ka vërejtur se ai është Auditor i certifikuar, dhe një tjetër kompani e regjistruar një ARBK është në emrin e vetë. Aty është edhe menaxher. Behët fjalë për kompaninë e auditimit “Audit Group” e cila është themeluar në vitin 2019.
Po ashtu, menaxher e pronar figuroni edhe te “Molla Creative”.
Situatën me tenderin, por edhe konfliktin e mundshëm të interesit si person i autorizuar në tri kompanitë, më së miri pritet ta sqarojë Agjencia Kundër Korrupsionit.
Në një përgjigje për Periskopin, Agjencia kundër Korrupsionit ka thënë se në bazë të ligjit, një zyrtar i lartë nuk mund të jetë person i autorizuar në kompani, gjegjësisht menaxher.
“Ju njoftojmë se bazuar në Ligjin Nr. 06/L -011 Për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, Zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, ndërsa, pronësia në ndërmarrje private nuk paraqet apriori papajtueshmëri në ushtrimin e funksionit publik. Ndërsa, në nenin 15, është paraparë obligimi që zyrtari ka për transferimin e drejtimit të ndërmarrjes. Neni 15 -Transferimi i të drejtave në drejtimin e ndërmarrjes: 1.Zyrtari i lartë nuk mund të ushtrojë në mënyrë aktive të drejtën e administrimit dhe drejtimit në një ndërmarrje, pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj. 2. Zyrtari i lartë, pronari i aksioneve, gjegjësisht pjesës së kapitalit në një ndërmarrje, gjatë ushtrimit të funksionit publik, duhet t’i transferojë të drejtat e administrimit ose menaxhimit, apo drejtimit tё ndërmarrjes tek ndonjë person i besuar”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.
Tashmë më rastin në fjalë është njoftuar edhe Agjencia.
“Ju njoftojmë se procedura e trajtimit të rasteve të konfliktit të interesit sipas ligjit në fuqi është konfidenciale. Agjencia i bën të njohura vetëm rezultatet përfundimtare të procedurës së zhvilluar”, kanë thënë tutje nga AKK-ja.
Misioni i Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës “INFRAKOS”SH.A, është që të operojë në rrjetin hekurudhor të Kosovës, t’i rrisë dhe mirëmbajë vijat hekurudhore për operim bazuar në standardet e Unionit Evropian. Sikurse “Trepça” SHA, edhe kjo kompani janë nën ombrellën e Ministrisë së Ekonomisë që udhëhiqet nga Artanë Rizvanolli. /Mentor Buzhala -Periskopi/