Kompanitë kosovare të sigurimeve bllokojnë Kartonin e Gjelbër, miliona euro dëme të papaguara
Kompanitë e sigurimeve në Kosovë nuk janë as përafërsisht gati për t’iu përgjigjur kërkesave që do të vinin nga pranimi eventual i Kosovës në Kartonin e Gjelbër. Ato kanë një mori problemesh me tregun e brendshëm, por ajo që pritet të jetë pengesa më e madhe është mënyra sesi trajtohen dëmet e shkaktuara nga aksidentet. Aktualisht janë 92 mijë dëme të mbetura pezull nëpër kompani e gjykata, ndërkaq, po ashtu ka trajtim të dobët të dëmeve të huaja.
Në formularin për pranimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër, pala kosovare duhet t’i përgjigjet një pyetjeje esenciale për pranim në këtë mekanizëm: si trajtohen dëmet nga kompanitë e sigurimve në tregun e brendshëm? Varësisht prej përgjigjes në këtë pyetje, mund të ndodhë ose jo pranimi i Kosovës në Sistemin e Kartës Ndërkombëtare të Sigurimeve.
ORAinfo, në një hulumtim të sajin, ka gjetur se kompanitë e sigurimve në Kosovë nuk janë as përafërsisht gati për t’iu përgjigjur kërkesave që do të vinin nga pranimi eventual i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar të sigurimeve.
Ato kanë një mori problemesh me tregun e brendshëm, por ajo që pritet të jetë pengesa më e madhe është mënyra sesi trajtohen dëmet e shkaktuara nga aksidentet.
Statistikat zyrtare flasin për gjendje të vështirë të industrisë në trajtimin e dëmeve të qytetarëve të shkaktuara nga aksidentët. Aktualisht janë 92 mijë dëme të mbetura pezull nëpër gjykata, ndërkaq, po ashtu ka trajtim të dobët të dëmeve të huaja.
Këtë e kanë konfirmuar për ORAinfo edhe nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e cila në bazë të ligjit, e ka nën mbikëqyrje tregun e sigurimeve në Kosovë.
“Numri i dëmeve pezull të sigurueseve është afërsisht 92 mijë dëme, përfshirë numrin e dëmeve të sigurimeve motorike (autopërgjegjësisë, Kasko) dhe sigurimeve të tjera vullnetare (prona, aksidenti, shëndeti, përgjegjësitë e të tjera)”, ka thënë për ORAinfo, Kushtrim Ahmeti, zëdhënësi i BQK.
Ndërkaq, sipas njohësit të sigurimeve, Besnik Nikçi, ky kriter është përcaktues, meqenëse pas pranimit eventual, kompanitë e sigurimeve përveç kërkesave për trajtim të dëmeve që do të vijnë nga tregu i brendshëm, duhet t’iu përgjigjen edhe kërkesave të huaja.
Një problem tjetër janë shumat siguruese për persona dhe automjete, që janë mjaft të larta tek shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Ato shkojnë deri në pesë milionë euro, ndërsa në Kosovë, me Ligjin për Sigurimet, shuma siguruese për dëme në persona arrin maksimumin deri në 1 milion euro.
Kompanitë i mbajnë rezervat për vete
Për gjendjen në tregun e sigurimeve më së miri flasin statistikat zyrtare. Përkundër faktit se janë mbi 92 mijë dëme të qytetarëve të mbetura pezull, rezervat teknike të kompanive të sigurimeve për këto dëme janë në shumën e 74 milionë eurove.
Kompanitë ndër vite janë treguar “dorështrënguar” kur ka qenë në pyetje trajtimi i dëmeve. Shumica e rasteve përfundojnë në gjykata dhe ka shumë pak marrëveshje të arritura mes kompanive dhe policëmbajtësve.
“Rezervat teknike për dëme janë në shumën prej 74 milionë euro, përfshirë rezervat për sigurimet motorike dhe sigurimet tjera vullnetare”, ka sqaruar Ahmeti, duke shtuar se ka edhe një numër të madhë të ankesave të qytetarëve ndaj kompanive që i drejtohen këtij institucioni për ndihmë.
Në Divizionin e Ankesave të BQK-së për vitin 2017 janë shqyrtuar gjithsej 267 ankesa të qytetarëve (policëmbajtësve), ndërsa për vitin 2018 janë shqyrtuar 192 ankesa.
“Po ashtu të gjitha ankesat e pranuara janë të policëmbajësve, veç se janë të ndara në kategori si Policë Shëndeti, Policë TPL, Policë për garancione, etj”, ka sqaruar Ahmeti.
Megjithatë Ahmeti nuk ka treguar se a ka pasur gjoba ndaj kompanive pas gjithë këtyre ankesave të qytetarëve. Për këtë rast ai ka dhënë përgjigje përgjithësuese.
“Banka Qendrore e Rapublikës së Kosovës përmes mbikëqyrjes së vazhdueshme të siguruesve si përmes monitorimit të pasqyrave financiare dhe raportimeve të rregullta të siguruesve në BQK, dhe ekzaminimeve në vend vlerëson aktivitetin e siguruesve ndërmerr veprime korrektuese përfshirë edhe masat ndëshkuese kundrejt siguruesve, të cilët nuk janë në pajtim me kërkesat e kornizës ligjore”.
Zgjidhja e kontesteve vetëm në gjykata
Me këtë përformcancë të dobët të kompanive të sigurimeve në tregun e brendshëm, njohësit e sigurimeve thonë se iniciativa e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për pranim në Kartonin e Gjelbër përmes një shteti të tretë, lë shumë për të dëshiruar.
Ata ftojnë për kujdes që kësaj iniciative t’i qasen seriozisht, pasi, sipas tyre, problemi kryesor është i brendshëm, përkatësisht ka të bëjë me gjendjen në treg.
Besnik Nikçi, njohës i sigurimeve dhe drejtues i Zyrës së specializuar për trajtim të dëmeve të huaja “ICS Assistance” thotë se ka shumë probleme në trajtimin e kërkesave të huaja nga kompanitë e sigurimeve por edhe gjykatat, ende pa u pranuar në Kartonin e Gjelbër.
ICS Assistance përfaqëson siguruesit e tregut të Bashkimit Evropian, jo vetëm në territorin e Kosovës, por në tërë shtetet e Evropës Juglindore.
“Ekziston dallim evident i trajtimit te këtyre kërkesave nga siguruesit në Kosovë, në raport me vendet tjera. Ky dallim konsiston në atë se përderisa kërkesat e regresit/subrogimit kryesisht në shtetet tjera trajtohen në procedurë të rregullt respektivisht numri i kontesteve nuk arrin as 1%, në Kosovë kemi situatë tërësisht tjetër. Këto kërkesa me element të huaj kryesisht zgjidhen në Gjykatë, me një numër jashtëzakonisht të vogël të tyre që zgjidhen në procedurë të rregullt – çfarë ka për pasojë shpenzimet enorme të kontesteve”, thotë Nikci.
Sipas tij, një gjendje e tillë në trajtim të këtyre kërkesave jep një imazh dhe paraqet hezitim për Byrotë e Sigurimeve të shteteve të Bashkimit Evropian në mbështetjen e Kosovës në anëtarësim në Sistemin e Kartës Ndërkombëtare të Sigurimeve.
“Ajo që me shumë brengos, është fakti se, jo vetëm kërkesat e siguruesve të huaj, por edhe kërkesat e ndërsjella të Industrisë se Sigurimeve zgjidhen në kontest – e jo në procedurë të rregullt, psh. përmes arbitrazhit, e veçmas kërkesat e drejtëpërdrejta të palëve të dëmtuara”, thotë Nikci.
Zvarritja e lëndëve deri në 10 vite
Nikçi ka treguar për ORAinfo se në pyetësorin e Këshillit të Byrove, pos tjerash, kërkohen shënime lidhur me eficiencën në trajtim të dëmeve e veçmas për rastet në kontest. Aty njëkohësisht kërkohet informacion për eficiencën e gjykatave në trajtimin e kërkesave në lëmin e sigurimeve.
Por në këtë rast gjendja në treg lë shumë për të dëshiruar.
“Përderisa kërkesat e regresit trajtohen brenda një periode prej 2-3 viteve, situatë shumë më e keqe është lidhur me kërkesat e drejtpërdrejta të palëve të aksidentuara kur psh. kërkesat trajtohen në periudhë prej 5 deri në 10 vite. Gjendje faktike kjo, jo e volitshme për performancën e Industrisë se Sigurimeve si kandidate për anëtarësim në këtë Sistem”, vlerëson Nikci.
Ai thotë se nga Këshilli i Byrove në Bruksel do të vlerësohet sidomos performanca lidhur me zbatimin e MoU në fuqi (Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi), e cila sipas tij nuk është për tu lavdëruar.
“Vërehet një vetëdijesim se trajtimi i këtyre rasteve kërkon një regjim dhe ekspertizë të posaçme dhe në kohën e fundit ka një progres. Mirëpo, kjo nuk është e mjaftueshme pasi ëe anëtarësimi i Kosovës në CoB apo heqja e sigurimit kufitar dhe pranimi i vlefshmërisë se kartës ndërkombëtare të sigurimit për territorin Kosovës, nuk mbështetet në trajtimin e kërkesave nga Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) por, ajo çfarë është rregull, që këto dëme të trajtohen nga korrespodentët (kompanitë e sigurimeve apo byrotë e specializuara) institut ky i cili është mohuar për jetësim deri këtë vit nga BKS, pëkundër instalimit të tij deri në vitin 2011”.
Cka duhet bërë institucionet?
Bazuar në këtë Nikçi e ka parë me hezitim iniciativën e fundit të disa deputetëve për pranim në Kartonin e Gjelbër përmes një shteti të tretë, në këtë rast Austrisë.
“Iniciativën e fundit e konsideroj si të vetmen të mundshme – e cila si e tillë korrespondon me Vendimet e COB te vitit 2000-2001 (Andorra / Geneva). Do duhej pritur zgjidhje të suksesshme, mirëpo tani i druhem hezitimit të Byrove Nacionale të huaja duke pasur parasysh dështimet në vazhdimësi të palës kosovare në procedimin e kësaj çështje, ku ka munguar vazhdimësia, konsistenca në kërkesa dhe jo rrallë mungesa e ekspertizës”, ka thënë ai.
Ai ka sugjeruar që kësaj radhe në kontaktet me Byronë Austriake me kujdes të parashtrohen kërkesat, gjithnjë në pajtueshmëri me vendimet e përmendura të CoB, pse jo edhe “hap pas hapi” të përcaktimeve nga këto vendime. Në këtë aktivitet, Nikçi shton se rolin kryesor duhet ta luaj BKS (Byroja Kosovare e Sigurimeve), si i vetmi autoritet me autorizime publike në këtë lëmi, autorizime këto të instaluara me Ligjin 04/L-018 dhe në harmoni me “CoB Internal Regulation”.
“BQK (Banka Qendrore e Kosovës) e ka luajtur rolin e Byrosë, dhe atë me mjaft sukses deri në vitin 2004, por tani e tutje nuk duhet paraqitur si bartëse e këtij projekti / iniciative. Kjo njëkohësisht vlen edhe për ministritë respektive të Qeverisë se Republikës se Kosovës dhe institucionet tjera shtetërore, të cilat më shumë duhet të orientohen në mbështetje në aspektin politik jashtë vendit. Procedimi i çështjes në mënyrë jo institucionale, siç jepet përshtypja nga mjetet e informimit, jo vetëm që nuk preferohet, por ka gjasa që edhe të paraqet shkak për ndonjë dështim në mungesë të njohurive lidhur me rrjedhën e procesit që nga fillimi dhe ekspertizës adekuate në këtë lëmi specifike”.



