Komshiq: Protestat në Beograd nuk kanë të bëjnë me Koronën por me Kosovën

Komshiq: Protestat në Beograd nuk kanë të bëjnë me Koronën por me Kosovën

E ardhmja e Ballkanit është në BE dhe protestat në Beograd nuk kanë të bëjnë me Coronën, por me Kosovën, thotë për DW Zhelko Komshiq, anëtar i Presidiumit treanëtarësh të Bosnjë-Hercegovinës

Anëtari i sapozgjedhur kroat i Presidiumit treanëtarësh të Bosnjë-Hercegovinës, Zhelko Komshiq, tha në një intervistë për DW se “e ardhmja e Bosnjë-Hercegovinës është në BE dhe NATO. Sipas 54-vjeçarit “kjo është e vetmja zgjidhje racionale, jo vetëm për Bosnjë-Hercegovinën, por edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

BE-ja nuk duhet ta humbasë mundësinë strategjike

Komshiq nuk pret shumë nga Evropa, sepse “BE-ja duket qartazi se ka probleme të mëdha me vetveten.” Po ai mendon se BE-ja nuk duhet ta humbasë mundësinë e rëndësishme strategjike për ta integruar sa më shpejt të gjithë rajonin në Evropën e bashkuar, sepse nëse BE-ja nuk e bën këtë ajo lë një hapësirë ​​boshe dhe kam frikë se kjo do të rrisë ndikimin e Lindjes dhe Juglindjes [të Rusisë dhe të Turqisë, shën. i red.] në rajon “.

“Protestat në Beograd nuk kanë lidhje me pandeminë”

Sipas Zhelko Komshiq në protestat e fundit në Republikën e Serbisë pandemia e Coronës është shfrytëzuar si një shkas për tubimet: “Thuhej se po protestohet kundër futjes së orës policore në Beograd, e pas disa çastesh ishte e qartë se protestat nuk kanë lidhje me pandeminë, por fjala është për Kosovën.”

“Të gjitha që kemi parë në regjistrimet që vijnë nga Beogradi tregojnë se ekziston një strukturë e organizuar politike, e cila po i fsheh qëllimet e vërteta pas historisë për Coronën.” – tha Zhelko Komshiq. Sipas tij “qëllimi i vërtetë është pamundësimi i marrëveshjes Beograd-Prishtinë” gjë që “në këtë moment më së shumti, u shkon në favor interesave të të djathtëve ekstremë dhe të fashistëve në Serbi si dhe të mbështetësve të tyre në Evropën Lindore.”

Shkëmbimi i territoreve hap shumë i rrezikshëm

Në lidhje me diskutimet për ndryshime të mundshme të kufirit midis Serbisë dhe Kosovës Komshiq thotë, se “ajo që do të bëjnë Serbia dhe Kosova varet nga ata dhe për ne do të ishte shumë e papërshtatshme dhe e palejushme që të ndërhynim. Shumë duan ta shoqërojnë këtë me Bosnje-Hercegovinën, por ne nuk do ta lejojmë këtë. Kufijtë e Bosnjë-Hercegovinës nuk duhet të preken. Nuk duhet të ketë shkëmbim territoresh, pasi kjo mund të çojë në një precedent të rrezikshëm. Kufijtë e Bosnjës dhe Hercegovinës janë të njohura dhe ne duhet të insistojmë. Një shkëmbim territoresh është jashtë diskutimit dhe do të ishte shumë i rrezikshëm.”

Shpërndaje në: