Komuna e Podujevës punëson pa konkurs psikologen e pakualifikuar

Komuna e Podujevës punëson pa konkurs psikologen e pakualifikuar

Që nga shtatori i vitit 2016, në Shkollën Fillore “Shaban Shala” I.M. punon si bashkëpunëtore profesionale- psikologe.

Ajo ishte punësuar me një vendim të veçantë të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Komunën e Podujevës, pa konkurruar fare. Ajo nuk i plotëson dy kërkesat bazike të akteve nënligjore të Ministrisë së Arsimit pasi nuk e ka kualifikimin MA dhe bachelorin e ka të përfunduar në një kolegj privat i cili nuk ofron programe shkollore.

Rasti i punësimit të kësaj psikologeje pa i përfillur procedurat ligjore nga Komuna e Podujevës është raportuar në kallxo.com.

‘Gazeta Jeta në Kosovë’, ka kërkuar qasje në dokumente publike në Drejtorin Komunale të Arsimit në Komunën e Podujevës në dosjen e kandidates së pranuar dhe dokumentet që i kanë paraprirë punësimit të saj.

Komuna e Podujevës brenda afatit ligjor i ka lejuar qasje në dosje në të cilin janë edhe dëshmitë mbi kualifikimin e psikologes së punësuar dhe mënyrën e punësimit të saj.

Gjithçka kishte nisur me një kërkesë që drejtoria e Shkollës “Shaban Shala”, në Podujevë me datën 24.06.2015 i kishte bërë Komunës që të hapet konkurs për pranimin e një psikologu si bashkëpunëtor profesional.

Sipas dokumentit, drejtori i kësaj shkolle, Skender Gashi ka bërë kërkesë për hapjen e konkursit meqenëse punëtori paraprak që mbante pozitën e psikologut ishte transferuar nga kjo shkollë. Kërkesa për punësim të psikologut ishte bërë rreth 8 muaj pasi që shkolla kishte mbetur pa psikolog.

Kërkesa për punësim të një psikologe ishte bërë në qershor të vitit 2015. Drejtoria Komunale e Arsimit nuk e kishte plotësuar atë kërkesë për më shumë se një vit.

Drejtoria e Arsimit ka vendosur që të angazhojë një psikologe për kohë të caktuar, derisa sipas tyre të konfirmohet një pozitë e tillë nga Ministria e Financave. Angazhimi i saj ishte bërë pa konkurs publike edhe pse Komuna kishte më shumë se një vit kohë për të hapur konkurs të rregullt.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, Avni Maloku ka arsyetuar këtë veprim me faktin se, sipas tij, shkolla ka pasur nevojë për psikolog.

“Drejtoria komunale e arsimit në Podujevë, duke e parë të rëndësishëm dhe të nevojshëm rolin dhe funksionin e psikologut të shkollës, si dhe duke u mbështetur në kërkesën e drejtorisë së shkollës, nga data 01/09/2016, e ka angazhuar znj (emër i njohur për redaksinë), për t’i kryer punët dhe detyrat e psikologut të shkollës në SHFMU “Shaban Shala”, në Podujevë, me kohë të caktuar, derisa të merret konfirmimi i pozitës së psikologes nga Ministria e Financave dhe Ministria e Administratës Publike, e mandej të shpallet konkursi”, tha Maloku.

Nga dokumentet e ofruara nga kjo drejtori, I.M ka të mbaruar në vitin 2014 studimet bachelor të psikologjisë në kolegjin “Fama”. Kualifikimi i saj është nën kërkesat minimale të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Arsimit kërkon nivelin master për të punësuarit si psikolog.

“Psikolog i shkollës- personi i cili ka përfunduar studimet e nivelit Master në degën e Psikologjisë- drejtimi: Psikologji shkollore, të fakultetit filozofik (apo siç është rregulluar me UA 2014 për licencimin e mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesional)”, thuhet në nenin 2, paragrafi 4.2 i udhëzimi administrativ, nr. 34/2014 për funksionimin e shërbimit pedagogjik-psikologjik në shkolla.

E në udhëzimin Administrativ për licencimin e mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë kërkohet që kandidatët duhet të kenë drejtim “shkollor” të Psikologjisë për t’u bërë bashkëpunëtor profesional në shkolla.

Në nenin 19 të këtij udhëzimi administrativ thuhet se asnjë bashkëpunëtor profesional nuk mund të ushtrojë profesionin pa licencë. Ndërsa, të drejtë për marrjen e licencës kanë “psikologu i shkollës, niveli MA- drejtimi Shkollor, Fakulteti Filozofik”, thuhet në nenin 19, pika 2, paragrafi 2.

Ndërsa ligji për Arsimin e lartë të Republikës së Kosovës thotë se vetëm të diplomuarit në UP mund të punojnë në shkolla si mësimdhënës.

“Vetëm bartësit publik të arsimit të lartë mund të ofrojnë programe studimi që qojnë në kualifikimin e një mësimdhënësi për t’u punësuar në një shkollë”, thuhet ne nenin 16, pika 5 të Ligjit për Arsimin e Lartë.

Shkolla “Shaban Shala”, në Podujevë sipas të dhënave nga drejtoria ka 1,300 nxënës ndërkaq dispozitat ligjore parashohin që një psikolog i shkollës duhet të funksionojë në çdo shkollë që ka 1000 e më shumë nxënës.

Megjithatë, sipas të dhënave zyrtare në Kosovë momentalisht janë angazhuar rreth 40 psikologë nëpër shkolla.

Rreth kësaj problematike në shtator të vitit të kaluar pati protesta nga ana e psikologëve të diplomuar.

Shpërndaje në: