Komuna veproi kundërligjshëm, “avullohen” 2.3 milionë euro të popullit në gjykata

Komuna veproi kundërligjshëm,  “avullohen” 2.3 milionë euro të popullit në gjykata

Komuna e Prishtinës nuk po i bënë si duhet llogaritë. Andaj jo në pak raste, taksat e prishtinasve në vitin e kaluar përfunduan në pagesa për kontekste gjyqësor, ngase palë të ndryshe e kanë paditur atë, shkruan Periskopi.

Për shkak të kontrolleve jo adekuat në ekzekutim të pagesave dhe menaxhim të kontratave publike, vonesave në kompletim të lëndëve, paqartësisë ligjore për pagesën e pagave shtesë/jubilare etj, Komuna e Prishtinës ka humbur në gjykatë 2.3 milionë euro. Kjo shumë është paguar në emër të konteksteve gjyqësore, dhe ne emër të kamatave në vitin e kaluar.

Zyra Kombëtare e Auditmit ka publikuar Raportin për Pasqyrat Vjetore Financiare të Komunës së Prishtinë për vitin 2021. Ky raport, një kapitull ia ka kushtuar edhe humbjeve të parave në kontekstet gjyqësore.

“Si pasojë e pagesave me vendime gjyqësore / përmbarimore, Komuna e Prishtinës ka paguar në emër të kamatave dhe procedurave të përmbarimit vlerën prej 836,034 euro. Në total pagesat përfshirë borxhin dhe kamatat ishin 2,322,549 euro, ku për paga e mëditje janë paguar 697,691€, për mallra e shërbime 415,748€, shërbime komunale 1,837€, dhe investimeve kapitale 1,207,274€. Gjithashtu, gjatë auditimit të lëndëve kemi gjetur se shtatë (7) pagesa në vlerë totale 257,730€, nuk janë kryer brenda afatit kohor ligjor prej 30 ditëve, por me vonesë nga tetë (8) deri 126 ditë”, thuhet në raportin e auditorit.

Sipas auditorit, ndikimi i kësaj ka të bëjë më atë se, pagesat përfshirë shpenzimet tjera përcjellëse të përmbarimit ka shkaktuar kosto shtesë duke e dëmtuar buxhetin e komunës

Kryetari duhet të sigurojë se menaxherët e kontratave monitorojnë dhe sigurojnë se kontratat publike për punë, furnizime dhe shërbime po realizohen sipas kushteve kontraktuale përfshirë edhe pagesat përkatëse”, thuhet në rekomandimin e auditmorit.

Gjatë auditimit, siç shihet në raport, auditori ka vërejtur se sistemi i kontrollit të brendshëm në Komunën e Prishtinës nuk kishte funksionuar si duhet në shumicën e fushave të menaxhimit financiar. Fushat për përmirësim mbesin: prezantimi i informacionit financiar në raportin vjetor financiar duke përfshirë shpalosjet në formë të shënimeve shpjeguese, planifikimi dhe realizimi buxhetor për investimet kapitale, klasifikimi i duhur shpenzimeve dhe pagesat përmes vendimeve gjyqësore, procesi i rekrutimit të personelit, mbajtja e pozitave me ushtrues detyre, procedurat e prokurimit publik dhe menaxhimit të kontratave, procesi i subvencionimit, shfrytëzimi i pronave publike pa kompensim dhe pa kontrata, proceset në menaxhimin e tatimit në pronë dhe shqyrtimin e kërkesave për lejet ndërtimore, menaxhimi i pasurisë dhe llogarive të arkëtueshme.

Çështjet e ngritura dhe rekomandimet kanë për qëllim të përmirësojnë kontrollet e brendshme lidhur me raportimin financiar dhe pajtueshmërinë me autoritetet në lidhje me menaxhimin e fondeve të sektorit publik.

Ky raport ka rezultuar me njëzet e dy rekomandime, prej tyre trembëdhjetë  janë rekomandime të reja dhe nëntë rekomandime të përsëritura. /Periskopi/

Shpërndaje në: