Komunat me mungesë të gjinekologëve, shkak konfliktet ligjore

Komunat me mungesë të gjinekologëve, shkak konfliktet ligjore

Kamenica, Kaçaniku e Dragashi janë disa nga komunat të cilat ende nuk kanë gjinekologë.

Gratë nga këto anë detyrohen të shkojnë në qendra private për kontrolle. E mungesa e gjinekologëve në këto komuna, është si pasojë e konflikteve ligjore.

Kështu u tha sot në debatin “Qasja e subjekteve politike rreth çështjes së gjinekologut në nivel komunal”, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Adelina Hasani nga KDI, tha se shumë komuna të Kosovës ballafaqohen me mungesë të gjinekologut dhe gratë detyrohen të shkojnë në qendrat e maternitetit për shkak të largësisë nga vendbanimet e tyre.

“Ka pasur edhe shumë raste të tjera që kanë përfunduar me fatalitet në disa komuna, ku disa gra janë detyruar të bëjnë edhe lindje në rrugë për shkak të largësisë shumë të madhe në mes të gjinekologut dhe vendbanimin ku janë ato. Por, kjo edhe paraqet edhe problemin më të madh për gratë që jetojnë në distancë të madhe, por duke marrë për bazë edhe gjendjen ekonomike shumë të rëndë me të cilat ballafaqohen ato vetë për të marrë këto shërbime gjinekologjike”, tha ajo.

Hasani, mes tjerash, tha se ka edhe komuna të cilat nuk kanë maternitet, dhe nuk ofrojnë shërbime gjinekologjike. Këto gra, në bazë të hulumtimit, Hasani tha se detyrohen të shkojnë në qendra private për të kryer kontrolle.

Në lidhje me këtë, Agim Çaka nga koalicioni Nisma-AKR-PD, tha se mungesa e gjinekologëve në këto qendra është pasojë e konflikteve ligjore.

“Në komunën tonë kjo çështje nuk është rregulluar deri tash. Në bazë të diskutimeve që kemi pasur aty, është potencuar çështja e konfliktit ligjor që gjoja nuk u mundësohet të ketë gjinekologun aty, mirëpo shtrohet pyetja pse ekziston reparti i gjinekologjisë aty. Në momentin kur ka infrastrukturë dhe ka potencial që të ketë një gjinekolog aty, nëse ka pengesa ligjore atëherë mendoj që ne duhet të intervenojmë aty dhe ta mënjanojmë këtë problematikë”, tha ai.

Besa Baftiu nga Partia Socialdemokrate, tha se kjo çështje është diskutuar edhe në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, megjithatë sipas saj Qeveria ka qenë përgjegjëse për të bërë një zgjidhje.

“Udhëzimi administrativ për organizim të kujdesit parësor ia mundëson qendrave të mjekësisë familjare që të kenë gjinekolog, pediatër apo neatologë. Dhe kjo nuk ka ndodhur përkundër kësaj ka ndodhur që maternitetet të mbyllen. Nëse ne jemi që të shkojmë dhe shëndetësia të zhvillohet në Kosovë në bazë të parimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nëse bazohemi në këtë, atëherë sipas OKB-së në çdo 3 mijë gra duhet të jetë një gjinekolog, që kjo nuk ndodh”, tha Baftiu.

Mes tjerash ajo tha se Kamenica tha se në bazë të popullsisë prej 36 mijë banorëve, i bie që duhet të ketë gjashtë gjinekologë, por që kjo komunë nuk ka që katër vjet gjinekologë.

Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë debat theksoi se në Kaçanik ka pasur konkurse, por nuk ka pasur gjinekolog që kanë aplikuar për vende të punës.

“Kjo është e natyrshme, sepse të gjithë gjinekologët synojnë ose QKUK-në ose nivelin sekondar, për arsyeje se edhe mundësia e zhvillimit profesional në këto institucione është shumë më e madhe se sa në kujdesin parësor. Mendoj se duhet edhe një diskutim publik mes të gjitha palëve të interesit, në këtë rast duke përfshirë edhe shoqatat që përfaqësojnë të drejtat e pacientëve dhe një dakordim në mes të mjekëve familjarë, gjinekologëve, mamive dhe pediatrive.”, tha Vitia.

Krahas kësaj, Haxhi Avdyli nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë, duke thënë se nuk ka pasur interes dhe prioritet për përmirësimin e sektorit të shëndetësisë.

Shpërndaje në: