Konfirmohet rasti i dhunës në Spitalin e Gjakovës, policia thotë se gruaja ka probleme mendore

Periskopi.com Lajme

Policia e Kosovës ka konfirmuar se një rast i dhunës ka ndodhur në Spitalin e Gjakovës, teksa bën të ditur se gruaja e cila ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortit të saj, ka probleme mendore.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj konfirmoi se rasti ka ndodhur më 14 janar.

“Me datë 14.01. 2022 rreth orës 03:00 , e dyshuara kishte sulmuar fizikisht viktimën (burrin e saj), i cili është pjesërisht i pa lëvizshëm. Rasti ka ndodhur në repartin e neurologjisë në spitalin ‘Isa Grezda’ – Gjakovë. Viktima ka pësuar lëndime trupore. Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore, si dhe mbrojtësi i viktimave është njoftuar për rastin e ndodhur, po ashtu prezent ka qenë dhe punëtori qendrës sociale”, tha ai.

Gjurkaj sqaroi se Policia ka ndaluar gruan e dyshuar dhe se e njëjta është hospitalizuar në repartin e psikiatrisë.

“E dyshuara ( bashkëshortja) është shoqëruar në Stacionin policor, është intervistuar dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, e njëjta mbahet në ndalim policor, por për shkak te gjendjes se saj mendore, me udhëzim te mjekut psikiatër, e njëjta është hospitalizuar në repartin e psikiatrisë , nën shoqërimin e zyrtarëve policor”, shtoi ai.

Më tej, Gjurkaj bëri të ditur se Policia për rast është njoftuar përmes një video incizimi që është pranuar nga adresa elektronike në adresën policore, shkruan telegrafi.