Konjufca: Kadri Veseli të jap llogari për ‘vetëvrasjet’ e parashikuara

Konjufca: Kadri Veseli të jap llogari për ‘vetëvrasjet’ e parashikuara

Ai ka thënë se vdekja e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari ka bërë që vendi të mos jetë më i njëjtë.

Tërheqjen e nënshkrimeve nga katër deputëtë të LDK-së dhe PDK-së për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës ku do të diskutohej rreth vdekjes së Astrit Deharit, Konjufca e ka konsideruar se është bërë nën trysninë e kryeministrit Isa Mustafa dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, duke shtuar se Kuvendi nuk po e merr guximin të diskutojë për këtë rast.

Sa i përket bojkotimit që VV-ja u bëri dy takimeve të thirrura nga presidenti Hashim Thaçi për reformën zgjedhore, Konjufca  ka deklaruar se me këtë Thaçi ka qëllim blerjen e kohës deri në vitin 2018, kur është edhe afati për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme nacionale.

Ai gjithashtu ka folur edhe për marrëveshjen  për kodin telefonik, zgjedhjet e parakohëshme si dhe për mjetet që VV do i përdore nëse demarkacioni shtrohet si pikë diskutimi në Kuvend

Intervista e plotë:

Perikopi: Si e shihni të ardhmen politike të vendit pas rastiti të Astrit Deharit?

Konjufca: Kosova nuk mund të jetë më e njëjta pas rastit Dehari. Vdekja e tij po shkakton dhe do të shkaktojë pa ndërpre zhvillime që do të përmblidhen në kthesën vendimtare të vendit tonë kah demokracia e vërtetë dhe drejtësia e pakompromis kundër krimit. E kjo realizohet vetëm përmes rënies së këtij pushteti të kriminalizuar politik që na udhëheq aktualisht.

Periskopi: Sipas jush pse katër deputët e PDK-së dhe LDK-së tërhoqën nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit?

Konjufca: Është nje trysni nga Kadri Veseli e Isa Mustafa të cilën deputetët e caktuar nuk kanë guxuar ta përballojnë. Kjo tregon se Kuvendi nuk po guxon të diskutojë për vdekjen e një 26 vjeçari në një institucion të shtetit. Parlamenti është vendi më i duhur për t’u diskutuar kjo çështje, dhe trysnia që po ushtrojnë Veseli e Mustafa ndaj deputetëve të mazhorancës është e tmerrshme dhe kjo dëshmon se këta nuk janë dhe nuk e duan republikën parlamentare.

Periskopi: A keni kërkuar ose a do të kërkoni hetime për siç i keni quajtur kërcënimet e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit që ka përmendur vetëvrasjen?

Konjufca: Sot përmes kriminalizimit të sistemit të hetuesisë brenda policisë nga njerëzit e regjimit, si dhe përmes kapjes së drejtësisë, krimet e pushtetit mbulohen përmes kategorisë së vetëvrasjes. Kadri Veseli duhet të jep llogari për ‘vetëvrasjet’ e parashikuara.

Periskopi: Arritja e marrëveshjes për kodin telefonik po konsiderohet sukses, por ka edhe pakënaqësi në lidhje me këtë marrëveshje. Çfarë mendoni për këtë marrëveshje?

Konjufca: Me leje të Serbisë, Austria ka aplikuar që Kosova ta ketë një kod telefonik të shqueshëm. Pronare e kodit mbetet Serbia, kurse ne do ta shfrytëzojmë kodin me të gjitha efektet anësore që mund t’i ketë. Për fat të keq, siç edhe e pohojnë ekspertë të kësaj fushe, Serbia tashmë ka në dorë mjaft të fuqim për ta shantazhuar shtetin tonë duke ditur që ndërrimi i kodit në çdo kohë është gjë që kushton dhe që s’bëhet lehtë. Kjo marrëveshje e mundëson zgjerimin e telekomit serb brenda Kosovës, pra autoritetet tona janë pajtuar më këtë marrëveshje që ta kthejnë Serbinë në telekomunikacionin e Kosovës.

Periskopi: Pse VV-ja ka bojkotuar dy takimet e thirrura nga presidenti për reformën zgjedhore? A do të thotë kjo që reforma e re zgjedhore mund të mos jetë e përshtatshme?

Konjufca: Reforma zgjedhore ka qenë tema me të cilën LDK-ja dhe PDK-ja janë tallur më së shumti. Më 2011 këto dy subjekte politike e arritën marrëveshjen e daljes nga ‘kriza e Presidentit’. Në atë marrëveshje e cila u votua edhe në Kuvend, parashihej edhe reforma zgjedhore. Kjo marrëveshje, sikurse shumë të tjera, nuk u realizua kurrë. Përgjegjësinë e vonesave dhe bojkotit të qëllimshëm e mban PDK-ja bashkë me LDK-në. Tash që ky pushtet ndodhet në kulmin e krizës së vet të legjitimitetit politik dhe mbështetjes publike, Presidenti Thaçii e shpiku befasisht dhe e nxorri nga sirtari temën tashmë të pluhurosur të reformës zgjedhore. Reforma zgjedhore në duart e Thaçit e ka veç një qëllim bazik: blerjen e kohës deri në vitin 2018, kur është edhe afati për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme nacionale.

Periskopi: VV-ja po kërkon zgjedhje të parakohshme. Për cilat subjekte VV-ja ka vija të kuqe sa i përket koalicionit (parazgjedhore dhe paszgjedhore) ?

Konjufca: Një gjë e dimë më siguri: nëse qëllimi ynë është ndryshimi rrënjësor i situatës politie, zhvillimi ekonomik dhe një drejtësi efektive që e çrrënjos krimin e organizuar, kjo nuk mund të arrihet kurrsesi pa u harruar nga skena politike tri figurat kryesore të politikëbërjes te ne: Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Isa Mustafa. Kjo është esenciale. Pastaj të tjerat vijnë më vonë.

Periskopi: A ka ndonjë pajtim në mes partive pas takimeve të iniciuar nga Naim Rashiti për demarkacionin?

Konjufca: Kryeministri Mustafa ka shkatërruar çfarëdo mundësie që kriza rreth demarkacionit të zgjidhet për shkak të qëndrimit të tij se e vetmja temë qenka pajtimi i opozitës me versionin e demarkacionit që e solli komisioni shtetëror dhe që u nënshkrua më 26 gusht të vitit të kaluar. Kjo është e pamundshme sepse krizën politike e solli pikërisht ky version i gabueshëm i demarkacionit që shkaktoi rezistencë të opozitës në Kuvend dhe me demonstrata masive në rrugë. Pa u zmbrapsur Qeveria nga ky version i demarkacionin nuk ka zgjidhje të krizës. Ajo vetëm sa mund të thellohet tutje.

Periskopi: Nëse demarkcioni vjen si i tillë në Kuvend a do ta kundërshtoni me mënyrat e deritanishme (gaz lotsjellës brenda dhe jashtë Kuvendit, protestë etj)?

Konjufca: Ne jemi aty si të zgjedhur të popullit për ta mbrojtur shtetësinë dhe sovranitetin e integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Gjithçka që është e nevojshme për ta ndalur këtë demarkacion, duhet të përdoret pa ngurrim. Nuk duhet të kursehen mjetet. /Periskopi/

Shpërndaje në: