Konjufca pak para shkuarjes në Hagë: Po shkelen të drejtat e ish-krerëve të UÇK’së

Konjufca pak para shkuarjes në Hagë: Po shkelen të drejtat e ish-krerëve të UÇK’së

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca të premten do të udhëtojë në Hagë, ku pritet të takohet me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim.

Konjufca para vizitës atje, ka thënë se Gjykata Speciale po i shkelë të drejtat e ish-krerëve të UÇK-së dhe se të gjitha këto çështje, do t’i diskutojë edhe me ata.

“Të shkojmë si institucione, si personalitete që përfaqësojnë Republikën tonë, të shkojmë atje të shohim si po trajtohen ata, edhe pse në disa aspekte shihet se Gjykata Speciale po i shkel të drejtat e tyre. Mjafton të merrni në konsideratë faktin që ata po afrohen drejt kohës 2 vjeçare prej kur u morën, po mbahen të izoluar, nuk u është mundësuar mbrojtja një liri. Nuk është i sigurtë fillimi i procesit gjyqësor…Të gjitha këto do t’i flas me z.Thaçi, Z.Veseli, Z.Krasniqi dhe Z.Selimi”, ka thënë Konjufca për RTSH.

Ndryshe, vizita e Konjufcës në Hagë është konfirmuar ditë më parë nga shefi i kabinetit të tij, Ilir Kërçeli.

“Bashkë me kryeparlamentarin Konjufca me datën 17 Qershor udhëtojmë për t’i vizituar ish krerët e UÇK-së në Hagë”, ka thënë ai.

Muajin e kaluar në Hagë qëndroi edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, por ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli nuk pranuan që të takohen me të.

 

Shpërndaje në: