Kontrabandë me drogë dhe telefona në burgjet e Kosovës, rrëfehet një ish i burgosur

Kontrabandë me drogë dhe telefona në burgjet e Kosovës, rrëfehet një ish i burgosur

Të dënuarit në burgjet e Kosovës po e bëjnë jetën pothuajse njëjtë si jashtë grilave. Haraçi, droga, alkooli, dhuna, janë disa nga fenomenet që hasën në këto institucione.

Shumë prej njerëzve që vuajnë dënimin flasin kur të duan me telefona, me të afërm, miq, avokatë, madje me këtë telefona kryejnë të gjitha shërbimet që u duhen. Për të gjitha këto, për KosovaPress rrëfen një person, i cili dikur ishte i dënuar më burgim, për shkak të kontrabandës me drogë, e që këto brenda burgut i kishte bërë edhe vetë.

Ndërsa, gjatë vitit 2018 vetëm në burgun e Dubravës janë konfiskuar mbi 100 telefona.

Për gjashtë vjet me radhë ai kishte qëndruar prapa grilave për shkak të kontrabandës që kishte bërë me substanca narkotike. Një pjesë të dënimit ai e ka vuajtur në burgun e Dubravës, një tjetër në Lipjan e pastaj në Smrekonicë.

E për këtë periudhë sa ka qenë i dënuar me burgim, ai ka shumë për të rrëfyer. Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress ai ka treguar për kontrabandën që bëhet me mjetet e ndaluara e me substanca narkotike në burgjet e Kosovës.Në kushte anonimiteti, thotë se futja e tyre dhe përdorimi, ani pse prapa grilave, është shumë i lehtë.E për të gjitha këto ai fajëson gardianët.

Për gjashtë vjet sa kishte qëndruar në burg, ai thotë se për futjen e telefonave është ndihmuar nga vet gardianët. Këta të fundit, sipas tij, nuk është që bëjnë kontrolle të mëdha.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi pohon se siguria në burgje nuk është në nivelin e duhur. E për abuzime të tilla ai fajëson vet gardianët.

Një gjë të tillë, e thotë edhe ish i burgosuri në rrëfimin për KosovaPress, ku sipas tij, gardianët në burgjet e Kosovës korruptohen, dhe këto veprimtari shumë lehtë ushtrohen.
Se raste të tilla janë evidente në burgjet e Kosovës, e thotë edhe Alban Muriqi nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Ai thotë se nga monitorimet që bëjnë në burgjet e Kosovës, kjo dukuri është shumë e theksuar në burgun e Dubravës.Zëdhënësi për media në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha ka treguar për KosovaPress, se cilat janë veprimet që po ndërmarrin pas raportimit të këtyre rasteve.

Aktualisht në burgjet e Kosovës janë rreth 1650 të burgosur.

Ushtruesi i detyrës së shefit të Sigurisë dhe Operacionit në Shërbimin Korrektues, Burim Buleshkaj pohon se raste të tilla të kontrabandës me drogë dhe përdorimit të telefonave janë evidente në burgjet e Kosovës, duke shtuar se numër të madh të rasteve ka në burgun e Dubravës.

E vetëm gjatë vitit 2018 ai tha se në burgun e Dubravës, janë konfiskuar mbi 100 telefona, e sa i përket substancave narkotike ai thotë se nuk kanë të dhëna.

Të gjitha këto fenomene, Burim Buleshkaj i justifikon me buxhetin e limituar të ndarë në këtë fushë që nuk u lejon përmirësimin e kushteve.

Shpërndaje në: