Korniza e re e dialogut, Visar Ymeri për Periskopin: Ka diçka të padeshifrueshme rreth Serbisë, çka është ajo?

Korniza e re e dialogut, Visar Ymeri për Periskopin: Ka diçka të padeshifrueshme rreth Serbisë, çka është ajo?

Një tekst që prezantonte/interpretonte  dokumentin e ‘kornizës së re’ të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, u publikua fundjavën që lamë pas. Disa prej fjalive që na lanë më së shumti përshtypje, Periskopi i diskutoi me njohësin e mirë të politikës, zotin Visar Ymeri. Një prej çështjeve vështirë të deshifrueshme si për ne Periskopin, poashtu edhe për Visar Ymerin, mbetet pjesa ku thuhet se Serbia do të përfitojë ndihma masive ekonomike dhe se do të njihet si fuqi rajonale ekonomike

Njohësi i çështjeve politike, Visar Ymeri, në një intervistë për Periskopin ka treguar se si e sheh përmbajtjen e këtij dokumenti, faktin se si kjo kornizë u publikua pas takimit të papritur mes Kurtit dhe Ramës në Tiranë si dhe nëse ‘jetëgjatësia e Qeverisë Kurti’ varet nga kjo marrëveshje.

“Është vështirë të vlerësohet së pari, se si ta klasifikojmë këtë dokument. Më shumë se sa tekst marrëveshjeje potenciale, kjo duket një ravijëzim kornize e përmbledhje zotimesh nga BE (ose Francë Gjermani më saktësisht) për atë se si do të dukej përmbyllja e kësaj faze të dialogut. Pra dokumenti paraqet në njërën anë vazhdimin e mosgatishmërisë se BE-së (me gjasë për shkak të refuzimit të Francës), që ta mendojë progresin e shpejtë të vendeve të Ballkanit drejt BE-së. E në ndërkohë kjo përcillet me një insistim të shtuar për dinamizim të marrëdhënieve rajonale përbrenda idesë tashmë të dakorduar të Tregut të Përbashkët Rajonal, për ta krijuar kështu atë paradhomën për anëtarësim në BE. Ndërsa në anën tjetër dokumenti vendos vijat e trasha të asaj se çka do të nënkuptonte normalizim në këtë fazë, duke e përfshirë në vete refuzimin kategorik të Serbisë për ta njohur Kosovën, dhe duke përfshirë po ashtu nevojën e domosdoshme të Kosovës për avansim në raportet ndërkombëtare përmes njohjes nga 5 vendet anëtare të BE-së dhe hapjes së rrugës për anëtarësim në NATO, e në organizatat tjera ndërkombëtare. Megjithatë mbeten disa gjëra të paqarta: çfarë ndodh me marrëveshjet e deritashme? Cilat janë mekanizmat që e bëjnë këtë marrëveshje ligjërisht të obligueshme? {ka nënkupton njohja e realitetit nga Serbia? Si garantohen njohjet nga 5 vendet anëtare të BE-së? E çështje tjera”, tha Ymeri për Periskopin.

Meqë teksti u publikua pas takimit të paparalajmëruar Kurti – Rama në Tiranë, Periskopi pyeti Ymerin lidhur me këtë detaj, por ai tha se nuk ‘dëshiron të spekulojë në këtë aspekt’, por foli për figurën e Ramës si politikani më me ndikim në rajon.

“Nuk dua të spekuloj për ndonjë ndërlidhje në mes të kornizës dhe takimit urgjent që dy kryeministrat kishin javën e kaluar. Gjithsesi Kryeministri Rama ka qenë dhe mbetet i përshirë në procesin e dialogut, për faktin që Shqipëria është një prej vendeve kryesore të rajonit, për faktin që Shqipëria dhe Kosova kanë marrëdhënie shumë të mirë historikisht, si dhe për faktin që KM Rama është një prej politikanëve më me ndikim në rajon dhe personalitet politik me besueshmëri të lartë në perëndim”, tha ai.

Një fjali që na bëri përshtypje në tekstin e publikuar në Albanian Post, ishte edhe ajo se nga marrëveshja, ‘Seria do të përfitojë ndihma masive ekonomike’ dhe do të ‘njihet si fuqi ekonomike rajonale’.

Ne nuk e kuptuam këtë togfjalësh dhe e vështirë që ta deshifrojë – mbetet edhe për Visar Ymerin.

Kjo është vështirë të deshifrohet. Dhe është një prej çështjeve që e bën dokumentin vështirë të kuptueshëm. Sa i përket ndihmave masive ekonomike ky është zotim që vendet e BE-së i japin Serbisë si karrotë për nënshkrimin e marrëveshjes. Kjo është edhe e kuptueshme. Natyrisht që një ndihmë e ngjashme do të kishte qenë e mirëseardhur edhe për Kosovën. Po çështja është te njohja si fuqi rajonale politike dhe ekonomike? Nga kush njihet si e tillë? Dhe zbatohet kjo njohje në praktikë? Sepse fuqia e një shteti, dhe veçanërisht ajo ekonomike është çështje relative që varet kryekëput nga dinamika e zhvillimit dhe konkurrenca. E jo nga ndonjë marrëveshje a vendim politik. Çka nëse nesër Shqipëria ose Kosova bëhen më të fuqishme ekonomikisht se Serbia?”, tha ai.

Ymerin e pyetëm edhe lidhur me atë se pse flitet edhe ‘për parashikimet në rast se marrëveshja do të dështonte’ dhe pse përmendet ‘jetëgjatësia e qeverisë’.

“Procesi i dialogut duket të ketë hyrë rrëmbyeshëm në fazën finale. Kjo vërehet nga investimi i shtuar në kapcitete diplomatike nga vendet kryesore perëndimore. Në një fazë të tilla refuzimi i pranimit të marrëveshjes bart përgjegjësi e pasoja për cilëndo prej palëve. Se cilat mund të jenë pasojat e tilla natyrisht që duhen parë. Në anën tjetër Qeveria e Repbulikës së Kosovës ka dhënë zotie të forta që marrëveshje pa njohje reciproke nuk pranon. Këtu e kemi një përplasje të menjëhershme publike, e cila do të shohim se si do të zhvillohet ditëve e muajve në vazhdim”, ka thënë ai.

Çka thanë të tjerët?

I pyetur sot nga gazetarët, deputeti i shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës, Adnan Rrustemi, heshtjen e qeverisë e quajti ‘transparencë jashtëzakonisht të madhe’.

 “Transparenca ka qenë jashtëzakonisht e madhe, madje kryeministri ka takuar edhe përfaqësuesit e partive opozitare lidhur me dialogun, ka diskutime në Kuvend, Qeveria gjithmonë ka qenë e gatshme për të diskutuar e për t’u përgjigjur.  Unë mendoj që transparenca është e plotë, gatishmëria për t’i ndarë pikëpamjet e informacionet me deputetë”, tha Rrustemi sot para mediave, përcjell Periskopi.

Ndërkaq, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, kur u pyet për këtë temë, tha se kjo parti ‘mbështet një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Serbinë, që i sjell njohje Kosovës’.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill tha se ‘ka dëgjuar për këtë (plan v.j) por u shpreh se mbështet fuqishëm BE-në dhe përpjekjet e saj për të zgjidhur këtë problem.

“Kam dëgjuar për këtë, por e vetmja gjë që mund të them është se ne mbështesim fuqishëm BE-në dhe përpjekjet e saj për të zgjidhur këtë problem që është prezent prej kohësh. Mendoj se është koha për progres dhe i inkurajoj ata të bëjnë propozime për të dyja palët, por nuk më takon mua të komentoj përmbajtjen e atyre propozimeve”, tha Hill.

“BE ka një detyrë të vështirë dhe ne i mbështesim ata. Nuk është e lehtë për ta dhe ajo që nuk kanë nevojë janë njerëz që nuk janë ulur në tryezë me ta duke dhënë mendimet e tyre për të. Mund të them vetëm se ne i mbështesim ata”, tha tutje ai./Periskopi/

Shpërndaje në: