Koronavirusi mund të jetë më i lehtë se gripi, por Karantinat mund të rrezikojnë jetën e të gjithë neve

Koronavirusi mund të jetë më i lehtë se gripi, por Karantinat mund të rrezikojnë jetën e të gjithë neve

Sëmundja e koronavirusit, Covid-19, është thirrur pandemia e shekullit. Por, ajo mund të jetë në fakt mashtrimi i shekullit (fiaskoja e evidencës e shekullit.)

Bash në kohën kur secilit i duhen informacionet më të mira – prej modeluesve të sëmundjes dhe qeverive e deri te njerëzit nëpër karantina – në fakt të gjithëve na mungojnë evidencat për atë se sa njerëz janë infektuar me SARS-CoV-2 ose se sa njerëz po vazhdojnë të infektohen. Informacionet më të mira janë të nevojshme që të çojnë në vendime dhe veprime të rëndësisë monumentale dhe po ashtu për monitorimin e impaktit të tyre.

Masa drakonike janë adoptuar në shumë vende. Nëse pandemia zhduket – qoftë vetvetiu apo për shkak të këtyre masave – mund ta përballojmë disi edhe distancimin social dhe karantinat. Sa gjatë, megjithatë, këto masa do të vazhdojnë nëse pandemia nuk zhduket krejtësisht? Si mund të na thonë politikëbërësit se nuk po bëjnë më shumë dëm se sa dobi?

Vaksinat dhe trajtimet e përballueshme marrin shumë muaj (apo edhe vite) që të zhvillohen dhe testohen si duhet. Duke marrë parasysh gjithë këtë kohë që lypet për to, pasojat e karantinimit të gjatë do të jenë krejtësisht të panjohura.

Të dhënat e mbledhura deri tash mbi atë se sa njerëz janë prekur dhe se si epidemia po evoluon janë krejt të paqëndrueshme. Marrë parasysh testimin e limituar deri tash, disa vdekje dhe ndoshta shumica e infeksioneve me SARS-CoV-2 nuk po numërohen. Nuk e dimë nëse po dështojmë të kapim infeksionet në shkallën e gabimit 3 apo edhe 300. Tre muaj pas shpërthimit, shumë vende duke përfshirë edhe ShBA-të, kanë mugnesë të aftësisë për të testuar numër të madh njerëzish dhe asnjë vend nuk ka të dhëna të qëndrueshme mbi përhapjen e virusit me një mostër të rëndomtë reprezentuese të popullsisë së përgjithshme.

Kjo fiasko e evidencës krijon pasiguri të madhe për rrezikun e të vdekurit nga Covid-19shi. Rastet e raportuara të shkallës së vdekshmërisë, si shkalla zyrtare prej 3,4 për qind nga OBSh-ja, ndjellin horror – por janë të pakuptimta. Pacientët që janë testuar për SARS-CoV-2 janë disproporcionalisht ata me simptoma të rënda dhe me mundësi të mëdha infektimi. Ndërsa shumica e sistemeve shëndetësore kanë kapacitet të kufizuar testues, paragjykimi për selektim  mund të përkeqësohet edhe më shumë në të ardhmen e afërt.

Një situatë kur një popullsi e tërë e mbyllur u testua ishte jahti Diamond Princess me pasagjerët e saj në karantinë. Shkalla e vdekshmërisë aty ishte 1.0%, por kjo ishte kryesisht për shkak të popullsisë së vjetër, për të cilët shkalla e vdekjeve nga Covid-19 është më e lartë.

Duke e projektuar shkallën e mortalitetit në një strukturë moshore të ShBA-ve, ajo do të ishte 0.125%. Por, duke qenë se këto vlerësime bazohen në të dhëna shumë të pakta – sepse kishte vetëm shtatë të vdekur mes 700 pasagjerësh dhe ekupiazhit të infektuar – rata e vdekjeve reale mund të shtrihej nga pesë herë më pak (0.025%) në pesë herë më shumë (0.625%). Është po ashtu e mundshme që disa nga pasagjerët e infektuar mund të vdesin më vonë, dhe që turistët mund të kenë shumë sëmundje kronike – një faktor rreziku për rezultatet e këqija me infeksionet SARS-CoV-2 – se sa popullsia e përgjithshme. Duke i shtuar këto burime pasigurie, vlerësimet e arsyeshme për shkallën e vdekshmërisë për popullsinë e përgjithshme të ShBA-ve ndryshojnë nga 0.05 për qind deri në 1 për qind.

Ky ndryshim tepër i madh afekton mendimin mbi se sa e rëndë është pandemia dhe atë se çfarë duhet të bëjmë. Shkalla e vdekshmërisë prej vetëm 0.05% është më e ulët se sa gripi sezonal. Nëse ajo është shkalla e vërtetë, mbyllja e botës dhe pasojat e tmerrshme sociale dhe financiare të kësaj gjëje mund të jenë totalisht irracionale. Është si një elefant që sulmohet nga një mace shtëpie. I frustruar dhe duke u munduar që të shmang macen, elefanti aksidentalisht hidhet nga shkëmbi dhe vdes.

A mund të jetë shkalla e vdekshmërisë nga Covid-19 kaq e ulët? Jo, disa thonë, duke theksuar shkallën e lartë të të moshuarve. Sidoqoftë, edhe disa koronavirusë të quajtur ‘të butë’ apo të llojit të ftohjes së zakontë e që janë njohur për dekada e kishin vdekshmërinë deri në 8 për qind kur infektonin pleqtë.

Këto koronaviruse “të buta” mund të implikohen në mijëra vdekje në vit në mbarë botën, megjithëse shumica prej tyre nuk dokumentohen me testim preciz. Ato humben si zhurmë mes 60 milionë vdekjeve nga shkaqe të ndryshme për çdo vit.

Megjithëse sisteme të suksesshme mbikëqyrjeje kanë ekzistuar për gripin sezonal, sëmundja është konfirmuar nga një laborator në një numër të vogël rastesh. Në ShBA, për shembull, deri tash këtë sezon janë testuar 1 milion e 73 mijë e 976 njerëz për grip sezonal dhe 222 mijë e 552 prej tyre (20,7%) kishin dalë pozitivë. Në të njëjtën periudhë, numri i vlerësuar i sëmundjeve si gripi sezonal është mes 36 milionë dhe 51 milionë, me një numër vdekjesh prej 22 mijë deri në 55 mijë.

Vërejeni marshin e gabimit për vdekjet e lidhura me sëmundjet si gripi sezonal, që korrespondojnë me dhjetëra mijëra sosh. Çdo vit, disa nga këto vdekje janë për shkak të gripit sezonal dhe të tjera viruseve, si koronavirusët “e butë”.

Në një varg autopsish që u testuan për viruse respiratore në mostrat nga 57 persona të moshuar që vdiqën gjatë gripit sezonal 2016 deri më 2017, viruset e gripit ishin detektuar në 18 për qind të mostrave, ndërsa llojet e viruseve respiratore ishin gjetur në 47 për qind të rasteve. Në disa njerëz që vdiqën nga patogjenet virale respiratore, më shumë se një virus u gjet në autopsinë e tyre dhe bakteriet janë shpesh të superimpozuara. Një test për koronavirus nuk nënkupton domosdo që ky virus është parimisht përgjegjës për vdekjen e pacientit.

Nëse supozojmë që shkalla e vdekshmërisë mes të infektuarve me SARS-CoV-2 është 0,3% e popullsisë botërore dhe që 1% e popullsisë së ShBA-ve infektohet (rreth 3.3 milionë), kjo do të përkthehej në 10 mijë vdekje. Ky numër duket i madh, por është brenda ‘zhurmës’ së vlerësimeve për vdekjet nga “sëmundjet e ngjashme si gripi.” Nëse nuk do ta kishim ditur për virusin e ri, dhe nëse nuk do t’i kishim testuar njerëzit me testet PCR, numri i vdekjeve totale për shkak të “sëmundjeve të ngjashme me gripin” do të dukej i pazakontë çdo vit. Të paktën, do ta kishim vërejtur që gripi këtë sezon ishte pak më i rëndë se zakonisht. Mbulimi medial do të ishte më i vogël se për një ndeshje të NBA.

Disa brengosen që numri prej 68 të vdekurve nga Covid-19 në ShBA deri më 16 mars do të rritet në mënyrë eksponenciale në 680, 6800, 68000, 680000… njësoj si me modelet e ngjashme katastrofike nëpër botë. A është ky një skenar real, apo një fantashkencë e keqe? Kur mund ta themi se kjo kurbë do të ndalet?

Pjesa më e vlefshme e informacionit për t’u përgjigjur në këto pyetje do të ishte që të dinim përhapjen aktuale të infeksionit në një mostër të rëndomtë të popullsisë dhe ta përsëritnim këtë ushtrim në intervale të rregullta kohe për të matur incidentin e infeksionit të ri. Për fat të keq, atë informacion nuk e kemi.

Në mungesë të të dhënave, arsyetimi “përgatituni-për-më-të-keqen” çon në masa ekstreme të distancimit social dhe izolimit. Fatkeqësisht, nuk e dimë nëse këto masa funksionojnë. Mbyllja e shkollave, për shembull, mund të reduktojë shkallën e transmetimit të sëmundjes. Por ato mund të dështojnë keq nëse fëmijët socializohen disi, nëse mbyllja e shkollave bën që fëmijët të kalojnë më shumë kohë me anëtarët e moshuar të familjes, nëse fëmijët në shtëpi i ndërpresin prindërit në punën e tyre, e kështu me radhë. Mbyllja e shkollave mund të ulë shanset që të zhvllohet imuniteti i tufës (herd immunity) në një grup moshe për t’u mbrojtur nga sëmundjet serioze.

Kjo ka qenë perspektiva prapa qëndrimi të ndryshëm të Britanisë së Madhe në mbajtjen e shkollave hapur, të paktën derisa po e shkruaj këtë gjë. Në këtë mungesë  të dhënash, ne nuk e dimë nëse kjo perspektivë ishte briliante apo katastrofale.

Rrafshimi i kurbës për të shmangur mbi-popullimin e sistemit shëndetësor është konceptualisht në rregull – teorikisht. Një vizuelizim që është bërë viral në media dhe në rrjete sociale shfaq se si rrafshimi i kurbës redukton volumin e epidemisë që është mbi pragun e asaj çka sistemi shëndetësor mund të përballojë në çdo moment.

Megjithatë, nëse sistemi shëndetësor bëhet i pushtueshëm nga koronavirusi, shumica e vdekjeve shtesë mund të mos jenë shkaku i koronavirusit por shkaku i sëmundjeve tjera dhe kondicioneve tjera shëndetësore si sulmet në zemër, traumat, gjakosja, dhe të tjerat që nuk trajtohen si duhet. Nëse niveli i epidemisë pushton sistemin shëndetësor dhe masat ekstreme kanë vetëm efektivitet modest, kjo bën që rrafshimi i kurbës vetëm t’i bëj gjërat edhe më keq: në vend se të pushtohej për një fazë akute e të shkurtës, sistemi shëndetësor do të mbetet i pushtuar për një periudhë më të gjatë. Kjo është një tjetër arsye pse na duhen të dhënat për nivelin e saktë të aktivitetit epidemik.

Dhe e keqja e madhe është se nuk e dimë se për sa kohë masat e distancimit social dhe karantinave do të mbahen pa shkaktuar dëme të mëdha për ekonominë, shoqërinë dhe shëndetin mendor. Zhvillime të paparashikueshme mund të pasojnë, përfshirë krizën financiare, kryengritjet, konfliktet civile, luftërat dhe një shkrirje të fabrikës sociale.

Në skenarin më pesimist, e të cilin unë nuk e përkrah, nëse koronavirusi i ri infekton 60 për qind të popullsisë globale dhe 1 për qind e të infektuarve vdesin, kjo do të përkthehet në më shumë se 40 milionë vdekje globalisht, aq sa kishte edhe pandemia e gripit spanjoll më 1918.

Shumica dërrmuese e kësaj kasaphane do t’i rrokte njerëzit që pritej të vdisnin brenda një periudhe të shkurtër e që është kontrasti i 1918-s, kur shumica e të vdekurve ishin të rinj.

Ne vetëm mund të shpresojmë se, si në të 1918-n, jeta do të vazhdojë. Me karantinat që zgjasin me muaj, nëse jo me vite, jeta do të ndalet, dhe pasojat afat-shkurtëra dhe afat-gjata janë krejt të panjohura, me miliarda, dhe jo veç miliona, jetë njerëzish të rrezikuara.

Nëse vendosim të hidhemi nga shkëmbi (si elefanti për shkak të maces), na duhen më shumë të dhëna për të na informuar mbi arsyeshmërinë e këtyre veprimeve dhe shansave që nga kjo hedhje të biem diku ku mund të shpëtojmë disi.

John P.A. Ioannidis është profesor i mjekësisë, i epistemologjisë dhe i shëndetit të popullsisë, i shkencës së të dhënave biomjekësore, dhe i statistikave në Stanford University, dhe bashkëdrejtor i Qendrës së Stanfordit për Meta-Research Innovation.

Ky artikull është përkthyer në shqip nga Periskopi. Lusim gazetat e tjera që kanë interes ta kopjojnë në faqet e tyre që të citojnë gazetën tonë. 

 

Shpërndaje në: