Korrupsioni po “ha” buxhetin
Miliona euro në vit humb buxheti i Kosovës nga shpenzimet e parregullta buxhetore, ndërsa shumë pak persona kanë dhënë përgjegjësi për keqpërdorimin e tyre.
Sipas raporteve të Auditorit të Përgjithshëm, në vitin 2013 në formë të parregullt janë shpenzuar 115 milionë euro, kurse në vitin 2014 janë shpenzuar 118 milionë euro.
Këto vlerësime u dhanë të hënën në tryezën e organizuar nga Instituti GAP: “Luftimi i korrupsionit përmes transparencës buxhetore dhe rishikimit të raporteve të Auditorit të Përgjithshëm”.
Mike De La Rosa, ushtrues detyre i drejtorit të USAID-it në Kosovë, ka thënë se korrupsioni i largon investimet e huaja dhe dobëson aftësinë e vendit që të mbrojë vetveten. Sipas tij, të gjithë taksapaguesit kanë të drejtë të dinë se ku dhe si shpenzohen paratë e tyre.
“Korrupsioni vë në rrezik çdo gjë që Kosova dëshiron të arrijë dhe shpreson për të ardhmen. Prandaj përmirësimi i transparencës (kjo është arsyeje pse jemi këtu sot) është njëra nga mënyrat më të rëndësishme të luftimit të korrupsionit. Ne besojmë se taksapaguesit e Kosovës kanë të drejtë të dinë si shpenzohet paraja publike dhe mbështesim këtë nismë nga ana e GAP-it që të theksohen trendët e shpenzimit. Prokurimi publik është një fushë e rëndësishme që duhet të shikohet. USA-ja dhe qeveria amerikane kanë punuar me Qeverinë e Kosovës për të përmirësuar prokurimet”, ka thënë ai.
Ndërsa Nora Latifi-Jashari, drejtoreshë ekzekutive e Institutit GAP, tha se korrupsioni merr forma të ndryshme në Kosovë dhe njëra ndër to është edhe korrupsioni në të hyrat dhe shpenzimet buxhetore.



