Kosova duhet të jetë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”, thotë Enver Hoxhaj

Kosova duhet të jetë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”, thotë Enver Hoxhaj

Ish-ministri i jashtëm dhe deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj thotë se Kosova duhet të jetë pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”, qoftë si vëzhguese, qoftë si anëtare e plotë.

Gjatë një interviste, ish-ministri theksoi se takimi i fundit tregoi që kjo nismë ka mbështetjen e plotë të amerikanëve.

Kosova, si një shtet i ri, duhet të anëtarësohet në çdo organizatë rajonale dhe jo të izolohet apo të përjashtohet nga tavolina të tilla, ku vendi mund të përfitojë.

“Shtetësia e Kosovës nuk matet në Ohër, shtetësia dhe sovraniteti i Kosovës matet në Bruksel, në Berlin, Uashington dhe mbi të gjitha në OKB,” tha ndër të tjera deputeti i PDK-së.

Më 7 dhe 8 qershor, u mbajtën punimet e nismës “Ballkani i Hapur” në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Takimi u finalizua me nënshkrimin e 3 memorandumeve dhe 1 marrëveshjeje.

Marrëveshja e nënshkruar mes vendeve pjesëmarrëse në nismë ka të bëjë me luftën kundër evazionit fiskal, konkretisht shmangies së pagesës së tatimit.

Tre memorandumet kanë të bëjnë njohjen e diplomave të arsimit të lartë, bashkëpunim kulturor dhe bashkëpunim në fushën e turizmit.

Nismës së ideuar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, në këtë takim ju bashkua edhe Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina.

I vetmi vend që refuzoi pjesëmarrjen ishte Kosova, për të cilën nuk munguan ftesat.

Shpërndaje në: