Kosova me korrupsion të lartë në sektorin e mbrojtjes, rrezikohen shpresat për një ushtri profesionale

Periskopi.com Lajme

Transparency Internacional Defence & Security ka publikuar Indeksin e Integritetit të sektorit të Mbrojtjes (GDI), sipas të cilit Kosova ka shënuar 42 pikë nga 100 e që e bënë të radhitet në mesin e vendeve me rrezik të lartë të korrupsionit në këtë sektor.

Këto të dhëna i ka bërë publike Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Megjithatë, Diana Metushi Krasniqi nga KDI bëri të ditur se sipas këtij indeksi, Kosova qëndron pak më mirë sesa Mali i Zi, i cili qëndron me rrezikun më të lartë në sektorin e mbrojtjes, me 32 pikë. Ndërkohë që tregoi se vlerësimi është bërë në pesë fusha të rrezikut.

Metushi – Krasniqi: Me 42 pikë, Kosova renditet në rangun e lartë të rrezikut për korrupsion në sektorin e mbrojtjes

“Në bazë të 75 treguesve, të cilët janë marrë për bazë për matjen e këtij indeksi Kosova ka shënuar në total 42 pikë nga 100, që e bënë Kosovën të radhitet në rangun e lartë të korrupsionit apo të rrezikut për korrupsion në rajon. Sa i përket ndikimeve politike Kosova ka marrë 49 nga 100 pikët totale, sa i përket financave në sektorin e mbrojtjes Kosova ka 43 pikë nga 100 pikët, sa i përket menaxhimit të personelit të mbrojtjes, Kosova ka shënuar rezultat pak më të mirë, 56 pikë nga 100 pikët totale.

“ Mirëpo qëndrojmë mjaftë ulët sa i përket preventivës apo masave kundër korrupsion në operacionet ushtarake në mungesë të politikave në adresimin e rrezikut, ndonëse Kosova ende nuk merr pjesë në operacion ndërkombëtar. Dhe, përfundimisht në prokurimin publik ka marrë 37 pikë nga 100 pikët totale”, tha ajo.

Dështimi për të korrigjuar këto çështje, sipas saj, mund të bëjë që shpresat e kosovarëve për një ushtri kombëtare profesionale të shuhen.

Metushi-Krasniqi tha se përmes menaxhimit të keq financiar dhe korrupsionit, mund të dëmtohen në mënyrë të pariparueshme ambiciet në rritje rajonale dhe ndërkombëtare të Kosovës.

Metushi – Krasniqi: Dështimi për të korrigjuar këto çështje mund të bëjë që të shuhen shpresat e kosovarëve për një ushtri

“Sipas këtij indeksi, dështimi për të korrigjuar këto çështje mund të bëjë që shpresat e kosovarëve për një ushtri kombëtare profesionale të shuhen përmes menaxhimit të keq financiar dhe korrupsionit, i cili mund të dëmtojë në mënyrë të pariparueshme ambiciet për rritjen rajonale dhe ndërkombëtare të Kosovës”, shtoi ajo.

Ajo rekomandoi Qeverinë e Kosovës që të marrë për bazë rekomandimet që dalin nga ky indeks, dhe të përkushtohet në përmirësimin e praktikave që do të parandalonin humbjen e parasë publike, integritetin ushtarak dhe anëtarësimin në NATO.

Sipas GDI, Kosova, duke qenë një lojtar i ri i sigurisë në rajon, ende po zhvillon aftësitë e saj mbrojtëse dhe rreziqet e korrupsionit në këtë sektor janë të larta. Përderisa Kosova ka një kornizë të fortë legjislative për mbrojtjen, mbetet një boshllëk i dukshëm në zbatim, i cili ka rezultuar në mbikëqyrje të dobët parlamentare, transparencë të dobët, procedura të fshehta të prokurimit dhe një mjedis të pasigurt për sinjalizuesit.

Sipas Indeksit të Integritetit në sektorin e Mbrojtjes (GDI) të realizuar nga Transparency International Defense and Security, Maqedonia e Veriut ka dalë më së miri nga vendet e rajonit, derisa Zelanda e Re prinë në nivel global.

Pikat kryesore globale:

-62% e vendeve kanë arritur një rezultat të përgjithshëm prej 49/100 ose më të ulët, që tregon një rrezik të lartë deri kritik të korrupsionit në sektorin e mbrojtjes në të gjitha rajonet e botës.

-Zelanda e Re kryeson Indeksin me rezultatin 85/100.

-Sudani, i cili vetëm muajin e kaluar pa që ushtria mori pushtetin me një grusht shteti të dhunshëm, ka performancën më të keqe, me një rezultat të përgjithshëm prej vetëm 5/100.

-Nota mesatare për vendet e G20 është 49/100.

-Pothuajse çdo vend ka rezultate të dobëta për sa i përket masave mbrojtëse kundër korrupsionit në operacionet ushtarake. Rezultati mesatar në këtë fushë është vetëm 16/100 sepse shumicës së vendeve u mungon anti-korrupsioni si një shtyllë thelbësore e planifikimit të misionit të tyre.

-Ndër ato që shënuan veçanërisht të dobëta në këtë fushë janë vendet kyçe që kontribuojnë ose udhëheqin ndërhyrje të mëdha ndërkombëtare si Shtetet e Bashkuara (rezultati i operacioneve 18/100), Franca (10/100) dhe Bangladeshi (0/100). -49% e importeve globale të armëve u shiten qarqeve që përballen me një rrezik të lartë deri në kritik të korrupsionit në mbrojtje