Kosova nuk lejohet të marr pjesë pa fusnotë në Konferencën e Donatorëve, përgjigjet BE

Kosova nuk lejohet të marr pjesë pa fusnotë në Konferencën e Donatorëve, përgjigjet BE

Në konferencën e donatorëve të organizuar nga Bashkimi Evropian për t’i dalë në ndihmë Turqisë dhe Sirisë pas tërmetit, Kosova nuk është lejuar që të merr pjesë, përkundër dëshirës së saj pasi që i është kërkuar që të përfaqësohet me fusnotë.

Megjithatë, nga Bashkimi Evropian kanë thënë se mos lejimi i pjesëmarrjes së Kosovës në këtë konferencë është bërë sipas praktikës standarde të BE-së të cilat e rregullojnë emërtimin e Kosovës.

“Konferenca e donatorëve u organizua nga BE-ja dhe udhëzimet e brendshme të BE-së që rregullojnë emërtimin e Kosovës u zbatuan sipas praktikës standarde”.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero Hernandez në një përgjigje me shkrim për Paparacin, tutje ka potencuar se përfaqësimi i Kosovës me fusnotë do të vazhdojë, pasi që për të cilat kërkohen bisedime të brendshme brenda institucioneve të BE-së

Pisonero-Hernandez ka vlerësuar se BE-ja është e gatshme për vlerësimin e udhëzimeve të brendshme, por që ka theksuar se përgjegjësia është mbi palët duke përmbushur angazhimet e tyre.

Madje, ajo tutje ka theksuar se për këto udhëzime nuk është biseduar gjatë takimit në Ohër, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Këto udhëzime mbeten në fuqi derisa të modifikohen, gjë që kërkon konsultime të brendshme brenda institucioneve të BE-së. Këto udhëzime nuk ishin temë në negociatat që çuan në Marrëveshjen në Ohër. Megjithatë, BE-ja është e gatshme të nisë procesin për të vlerësuar këto udhëzime të brendshme – por përgjegjësia është mbi palët që fillimisht të përmbushin angazhimet e tyre dhe të japin arsyetimin për këtë vlerësim”.

Përfaqësimi i Kosovës me fusnotë në forumet dhe nismat rajonale, do të vazhdojë derisa vendi të mos njihet nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Marrëveshja për fusnotën, ishte arritur më 24 shkurt të vitit 2012 në Bruksel në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Për mos lejimin e pjesëmarrjes në këtë konferencë kishte njoftuar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Për këtë kishte reaguar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi i cili kishte thënë se është në kundërshtim me marrëveshjen në Bruksel.

Shpërndaje në: