Kosova po shkon në zgjedhje, për ‘hallin’ me Serbinë!

Mero Baze Op-Ed

Shkruan: Mero Baze 

Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja parlamentare të parakohëshme, pas shpërndarjes së Parlamentit, që pasoi dorëheqjen disa javë më parë të kryeministrit Haradinaj.

Zgjedhjet u provokuan nga kryeministri Haradinaj me shpresë se klima populiste e krijuar pas vendosjes së taksës ndaj Serbisë dhe heroizimi i tij pas thirrjes në Hagë, mund të ndihmojnë partinë e tij të rritet në zgjedhjet e parakohëshme.

Por përtej kësaj llogarie populiste, Kosova ka një spektër politik të copëzuar, parti krahinore ideologjike dhe historike, të cilat po hyjnë në zgjedhje, duke ju shmangur sfidës kryesore që ka shteti më i ri i Evropës në rrugën e tij drejt njohjes, që është Marrëveshja me Serbinë.

Arsyet se përse vendi po shkon në zgjedhje lidhen me Marrëveshjen me Serbinë dhe përpjekjen e dështuar të Presidentit Thaçi, që ta udhëhiqte i vetëm procesin e bisedimeve në një linjë okulte mes Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës e Beogradit.

Kundërshtari i tij Ramush Haradinaj, i pafuqishëm t’i kundërvihej Perëndimit direkt për marrëveshjen, e hodhi procesin e bisedimeve në erë, duke vendosur taksën me Serbinë dhe duke bllokuar kështu bisedimet pa kusht.

Zgjedhjet e reja, pavarësisht problemeve të brendshme, duhet të prodhojnë një shumicë që ka guximin të marrë përsipër bisedimet me Serbinë ose refuzimin e tyre. E di që është kohë e keqe të përmendësh në fillim të fushatës elektorale bisedimet me Serbinë, por në finale, shumica që do të dalë nga zgjedhjet, do të përballet me këtë temë.

Në një vend normal me pjekuri politike, para se të hynin në fushatë, partitë do të mund të bënin një Pakt Kombëtar, lidhur me bisedimet me Serbinë, që ajo të mos bëhej temë e fushatës elektorale, por të mbetet një çështje konsensuale, e gjithë partive që e kanë detyrë ta çojnë para atë proces.

Kjo mund të ishte një tryezë e partive politike, një marrëveshje formale politike, e padetajuar dhe e mbështetur mbi parime të qarta të mos cenimit të pavarësisë së Kosovës, apo dhe forma të tjera. Por kjo është thjeshtë një ëndërr për Kosovën dhe shqiptarët në tërësi.

Nuk ndodh dhe s’ka për të ndodhur, siç nuk ndodh në Shqipëri konsesusi për integrimin në Evropë. Sa herë afron data, Berisha e Meta bëjnë gati molotovët ose kasetat e blera nga prokurorët e tyre.

Në mungesë të saj, së paku duhet të bëhet i hapur debati për Marrëveshjen me Serbinë, ku partitë të përcaktohen qartë rreth saj dhe të krijojnë aleanca, bazuar tek këto qëndrime. Kështu të paktën e dimë kush fiton.

Zgjedhjet u provokuan pikërisht nga procesi i bisdimeve me Serbinë dhe produkti politik i tyre, do të jetë ose një shumicë pro marrëveshjes, ose një shumicë kundër. Por kjo duhet të dihet në fushatë, përndryshe do të dëgjojmë patriotë që flasin kundër Serbisë në fushatë dhe pazarxhi që do shesin e blejnë deputetë për tendera pas fushatës.

Kur zgjedhjet të mbarojnë dhe qeveria e re të formohet, SHBA dhe BE, do të vendosin sërish në tryezën e qeverisë, çështjen e Marrëveshjes me Serbinë. Që askush të mos detyrohet të gënjejë në fushatë apo pas saj, është mirë që kjo çështje të debatohet për të qartësuar qëndrimin ndaj saj.

Pasi shumica e re nuk duhet të forcohet mbi bazën e pazareve për tendera apo vende pune si zëvendësministër, por mbi bazën e qëndrimeve ndaj një çështjeje jetike për të ardhmen e Kosovës. Vetëm kështu mund të shmangen spekulimet populiste, nga ata që qeverisin si hajdutë dhe duan të marrin pushtetin si patriotë./Tema/

Shpërndaje në: