Kosova synon të instalojë bateri për akumulim të energjisë

 Kosova synon të instalojë bateri për akumulim të energjisë

Në tri vitet e ardhshme Kosova synon të realizojë një projekt të madh akumulues të energjisë. Ndër më të mëdhenjtë në Evropë. Finalizimi i marrëveshjes “Kompakt” me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, do t’i ndihmojë Kosovës në pavarësinë e sistemit energjetik të vendit.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar për projektin që do të financohet nga Korporata Amerikane – Sfidat e Mijëvjeçarit në Uashington.

Ky projekt më i madhi i këtij lloji në Evropë do të financohet nga fondet e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit. Ministrja Rizvanolli e cila ka kryesuar ekipin në negociatat në MCC tregon se projekti do ta ndihmojë shumë Kosovën në balancimin e energjisë.

“Investimi më i madh do të bëhet në kapacitete akumuluese në bateri në kapacitet 170 MW ose për rezerva 340 MW që është një projekt i pari në rajon dhe ndër të parët në vendet evropiane”, tha ajo për RTK.

Komponentët tjera të projekti kanë të bëjnë më zhvillimin e fuqisë punëtore, në mënyrë që të jenë të gatshëm që të punojnë në sektorin e energjisë.

Ky projekt do të financohet me 202 milionë dollar nga Qeveria amerikane, ndërsa 2 milionë janë parashikuar që të përdoren për të tërhequr investitor në këtë sektor.

Lidhur me atë se kur do të nisë puna në terren për realizimin e këtij projekti, ministrja ka thënë se fillimisht marrëveshja duhet të kalojë disa procedura.”Pas aprovimit dhe nënshkrimit nga MCC, në shtator duhet të ratifikohet në Kuvend. Pastaj, do të jetë një periudhë 18 mujore gjatë të cilit do të dizajnohet projekti, ndërsa specifikisht deri në blerje të baterisë flasim për vitin 2025/26″, ka shtuar Rizvanolli.

Për ta zhvilluar dhe realizuar projektin, Rizvanolli thotë se do të themelohet një organizatë e veçantë.

Ndërsa, gjatë kësaj kohe do të bëhen analiza, dizajni i projektit dhe vendet se ku do të vendosen bateritë.

“Është një fushë relativisht e re, mirëpo ka kapacitete të ndërtuara, disa kapacitete janë ndërtuar në Londër, disa në Gjermani. Deri tani kanë qenë projekte më të vogla, ndërsa sivjet bateritë në Evropë shihen si mënyrë shumë e rëndësishme që akumulojnë”, ka nënvizuar ajo.

Funksioni i parë i këtij projekti do të jetë balancimi i sistemit energjetik në momentin kur kërkesa për furnizim me energji do të rritet.

“Përveç kësaj po flasim edhe për akumulim në mënyrë që do të mund të akumulohet energji kur prodhohet, në rast se ajo nuk është e nevojshme në momentin kur prodhohet, por do të përdoret pastaj në një kohë të mëvonshme kur është konsumi më i lartë”, u shpreh ministrja.Sipas saj zgjerimi i projekteve të ripërtërishme do të ndodhë paralelisht me ndërtimin e baterive.

“Sipas modelimeve që i kanë bërë ekspertët, edhe ata të MCC dhe ata të strategjisë, këto rezerva janë të mjaftueshme për një periudhë 10-15 vjeçare. Megjithatë gjatë dizajnimit të projektit, do të bëhen vlerësime edhe më të detajuara edhe nëse e shohim se do të kemi nevojë për kapacitete shtesë do të konsiderohet”, ka përfunduar Rizvanolli.

Marrëveshja e finalizuar në Uashington fundjavën e kaluar është më e madhja prejse Kosova është bërë pjesë e financimit të projekteve nga MCC. Marrëveshja e parë ishte në programin Thresholds.

Shpërndaje në: