Kosovarët janë homofobë sepse janë të padalur

Kosovarët janë homofobë sepse janë të padalur

Është sikur e ke të garantuar abuzimin, nënçmimin dhe linçimin në qoftë se nuk e ke problem ta pranosh si të mirëqenë komunitetin LGBTIQ+ në Kosovë.

Sinqerisht, ngritje nervash e reagime demonike në momentin që në një tryezë të rëndomtë dikush merr guximin të thotë atë që është thjesht njerëzore dhe në përputhje me çdo vlerë humane të mundshme, e që është përkrahja dhe mbështetja që njerëzit të bëjnë dhe të jetojnë ashtu siç duan, derisa nuk cënojnë të drejtat e tjetrit.

Homofobia madje kultivohet me fanatizëm e kujdes, derisa një pjesë e madhe e popullit nuk heziton të lirojë krejt mllefin e botës në çdo zhvillim e event shoqëror ku mund të jetë i përfshirë qoftë edhe një pjestar i komunitetit LGBTIQ+.

Shumica nuk duan as të futen thellë në analizën objektive të arsyeve çka i shtynë të jenë aq të mllefosur. Një gjë është e sigurtë, kontributin më të madh në këtë organizim masovik për të qenë homofobë të devotshëm e luan ‘padalësia’.

Është e qartë se kosovarëve nuk u intereson deri në atë pikë sa të çohen e të bëjnë protesta kundër këtij komuniteti, i cili në mënyrë paqësore për çdo vit mban paradën që zë vend në tërë botën, pa as edhe një incident, normalisht siç duhet të jetë.

Urrejtja duket se gjen përqafimin më të madh nga kolltuqet e shtëpisë apo nga kafenetë e qytetit dhe jo vetëm, kur qarkullon ndonjë artikull që ka për protagonistë pjestarë të këtij komuniteti.

Kosovarëve thjesht nuk u intereson dhe – ndoshta – dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet pasi të liberalizohen vizat, koncepti i homofobisë mund të fillojë të zhduket.

Një kosovari të rëndomtë nuk do t’i interesonte fort orientimi seksual i tjetrit, nëse një i tillë do të ishte pjesë e rrethit të tij të ngushtë, ta zëmë të punojnë në të njëjtën zyrë apo edhe nëse ndonjë familjar do të ‘dilte nga dollapi’.

Atij thjesht i intereson çka do të mendonte personi tjetër për të, nëse do ta shihte duke kaluar kohë me një homoseksual.

Krejt këto i shkakton padalësia…. posa t’i bie të njëjtit të jetojë kudo në Evropë, ai nuk e ka fare problem të ketë për koleg një person homo, pasi nuk i ka predispozitat që i servohen në Kosovë për të shfaqur urrejtje, e që janë paragjykimet dhe fjalët e personit tjetër, i cili poashtu është i padalur – edhe ky nëse do të dilte do të vepronte njejtë, e kështu cikli do të vazhdonte dhe askujt më nuk do t’i interesonte për preferncat seksuale të personit tjetër.

Mungesa e informimit rreth këtij komuniteti te kosovarët është aq e theksuar, sa që dërgon deri në qëndrimet banale se, ta zëmë një mashkull homoseksual, dëshiron të bëjë seks me cilindo mashkull që e sheh ose ka kontakt me të.

I njëjti kosovar që mendon kështu nëse do t’i jepej mundësia të jetonte në Vienë, do ta gjente veten shumë shpejt të asimiluar dhe të shukatur në raport me qëndrimet homofobike, pasi nuk do të kishte një tjetër që do të kontribonte në ushqimin e ndjenjave të homofobisë.

Me pak fjalë, insistenca e palogjikshme e Bashkimit Evropian për të vazhduar ta mbajë Kosovën të izoluar po na shkakton probleme të jashtëzakonshme shoqërore dhe kjo që sapo e cekëm është vetëm një prej tyre.

Përshtypja është se secili vit që kalon dhe vizat vazhdojnë të jenë bllokadë për udhëtim, derisa bota është duke avancuar me hapa supersonik në çdo sferë jetësore, Kosova po mbetet dhjetë vjetë prapa. /Periskopi.com/

 

Shpërndaje në: