Kosovari që jeton në Japoni tregon si po vepron shteti atje me pandeminë e koronavirusit

Kosovari që jeton në Japoni tregon si po vepron shteti atje me pandeminë e koronavirusit

E gjithë bota po përballet me pandemië COVID-19 që nisi në Wuhan të Kinës e më vonë u përhap gjithandej globit.

Sipas të dhënave të fundit, nmri i personave të infektuar me koronavirus në botë ka tejkaluar shifrën 1.7 milion përkatësisht 1,780,903.

108,838 persona kanë vdekur në gjithë botën dhe 404,497 janë shëruar.

Pas shpërthimit të pandemisë, shumë atdhetar që jetojnë në perëndim morën rrugë drejt Kosovës, ndërsa një numër i konsiderueshëm kanë mbetur në shtetet ku jetojnë dhe veprojnë, shkruan Periskopi.

Mithat Haxhiislami është shqiptar nga Kosova, që tash e 17 vite jeton në kryeqytetin e Japonisë, Tokyo.

Haxhiislami në një intervistë për Periskopin tregon se si po jeton në Tokyo në këtë kohë pandemie.

Intervista e plotë:

Periskopi: Sa kohë keni që jeni të izoluar?

Mithat Haxhiislami: Realisht në Japoni nuk ka pas dhe ende nuk ka izolim të obliguar, ashtu sikurse në Evropë apo Amerikë, edhe pse nga 8 prilli janë shpallur masat e jashtëzakonshme. Mirëpo që nga paraqitja e rasteve të para të koronavirusit në anijen lundrese të ankoruar në Yokohama në shkurt të këtij viti, Qeveria Japoneze ndërmori masa të shpejta mbrojtëse duke kërkuar që të anulohen gjitha ndeshjet sportive, koncertet, mbyllen shkollat dhe universitetet, si dhe “Tokyo Disney Resort”, çka ishte diçka e pa imagjinueshme deri atëherë, dhe ndërkohë rekomandoj gjithashtu që gjithë ata që kanë mundësi të punojnë nga shtëpia ta bëjnë një gjë të tillë. Unë dhe kolegët e mi iu përgjigjem pozitivisht kësaj thirrje dhe që nga atëherë punojmë nga shtëpia dhe pak a shumë jemi në vet-izolim vullnetar, por jo të obliguar.

Periskopi: A po bën mjaftueshmë Qeveria Japoneze për ta luftuar koronavirusin?

Mithat Haxhiislami: Fillimisht ishim tepër të impresionuar me masat e shpejtë mbrojtëse të ndërmara nga Qeveria Japoneze gjatë muajit shkurt, mirëpo pas tejkalimit të situatës me anijen lundruese “Diamond Princess” në Yokohama, disi këto masa filluan të relaksohen ndërkohe numri i të infektuarve filloj të ngritet.

Personalisht besoj se e gjithë kjo ndodhi pasi që qeveria kishte frikë nga anulimi i lojërave olimpike, kështu që u përpoqën që mos ta paraqesin situatën në mënyrë më dramatike, mirëpo duke e pasur parasysh pandeminë që e kaploj mbarë botën, një gjë e tillë u bë e domosdoshme. Tani, pasi që kjo ndodhi, Qeveria Japoneze, edhe pse me vonesë dy-tre javësh, vendosi që ta deklaroj gjendjen e jashtëzakonshme në 7 perfektura te vendit, duke përfshi këtu edhe Tokion, mirëpo ky deklarim fatkeqësisht ka plot vrima, çka edhe po e bën jo serioze. Ndërkohe numri i të testuarve për koronavirus deri më sot, 12 prill, është rreth 73,000, ndërsa kanë dalë pozitivisht janë rreth 6,000, kurse fatalitete 120.

Është për t’u çuditur sa i vogël është numri i testimeve për një popullatë 127 milionëshe, prandaj edhe numri i rasteve pozitive është i ultë, mirëpo shumë i lartë në krahasim me numrin e testimeve, më shumë se 8%.

Si krahasim po e shfrytëzoj Korenë e Jugut, ku deri më tani janë testuar më shume se 550,000 persona, ndërsa numri i të infektuarve është 10,500, çka i bie diku rreth 2%. Thjeshtë, sa më shume testime aq më shume raste pozitive, dhe kjo mënyrë e krijon mundësinë për t’i izoluar dhe trajtuar këto raste, dhe mbrojt jetën e tjerëve. Kështu Korea Jugore veproj dhe ende vepron, çka edhe e bën si shtetin më të suksesshëm në botë në menaxhimin e koronavirusit.

Nga e gjithë kjo e cekur më lartë mund të konkludohet se Qeveria Japoneze fatkeqësisht nuk ka bërë mjaftueshëm deri më tani për ta luftuar koronavirusin. Mbesim me shpresë dhe lutemi që mos ta përjetojmë edhe ne këtu një gjendje të ngjashme me Amerikën, Italinë, Spanjën, Francën, Britaninë, etj., sepse numri i fataliteteve mund të jetë tepër i lartë, duke e pasur parasysh që 25% e popullatës këtu është në moshë mbi 65 vjeçare.

Periskopi: A e keni bërë ju testin për COVID-19?

Mithat Haxhiislami: Jo nuk e kam bërë testin pasi që as unë e asnjë anëtarë i familjes time nuk ka shfaqur ndonjë simptomë të koronavirusit, dhe shpresoj të vazhdojmë kështu. Mirëpo nëse testimi do më mundësohej, do ta bëja pa asnjë hezitim.

Periskopi: A ka shqiptarë të tjerë në Tokyo, çfarë informacionesh keni për ata?

Mithat Haxhiislami: Në Tokio dhe qytetet për rreth saj janë gjithsej diku rreth 30-35 shqiptarë, ndërsa në mbarë Japoninë rreth 100-120, shumica nga Shqipëria. Më sa unë kam njohuri gjithë janë mirë e shëndoshë, dhe uroj kështu të mbesin gjithherë.

Përndryshe një mik i imi i dashur nga Kosova, që këtu ka shumë pak (ndoshta 10-15), arkitekti Dr. Dastid Ferati, i cili punon në njërin nga Universitet më të njohur dhe më me famë në Japoni dhe botë “The University of Tokyo”, është bllokuar në Kosovë, pasi qe shkoj atje për një projekt në lidhje me tërmetin e fundit që ndodhi në Shqipëri, ndërkohë që gjitha fluturimet nga atje u anuluan.

Uroj që ai dhe gjithë të dashurit e tij të mbesin mirë e shëndoshë dhe që të n’a kthehet në Tokio sa më shpejtë.

Periskopi: Cila është këshilla juaj për të gjithë kosovarët?

Mithat Haxhiislami: Këshillat e mia për gjithë ata që jetojnë në Kosovë dhe trojet shqiptare janë:

Të keni durim dhe të qëndroni në shtëpi, ashtu që ta shpëtoni vet jetën e juaj, të dashurëve të juaj, si dhe gjithë të tjerëve.

Nëse duhet të dilni patjetër, atëherë përdoreni maskën dhe mos e dëgjoni asnjë këshillë nga ata që e thonë të kundërtën, sepse po qe se këto maska nuk do të përdoreshin në Kinë, Taivan, Singapor, Hong Kong, Kore të Jugut dhe Japoni, situata në këto vende do të ishte shumë më e keqe. Në Japoni dhe disa shtete tjera Aziatike, kultura e përdorimit të maskës është e kahershme, dhe sigurohuni që këto vende posedojnë shumë studime dhe testime në lidhje me efektet pozitive të bartjes së tyre.

Gjithashtu ju lutem evitoni çfarëdo përshëndetje me shtrëngim duarsh, përqafime apo puthje.

Në fund ju uroj lexuesve të juaj dhe gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, të mbesin mirë e shëndoshë.

Shpërndaje në: