KOSST: Qytetarët ta shfrytëzojnë racionalisht energjinë elektrike

KOSST: Qytetarët ta shfrytëzojnë racionalisht energjinë elektrike

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT sh.a njofton që si rrjedhojë e mosbalancës në mes të konsumit të energjisë elektrike në vend dhe energjisë së siguruar për mbulim të konsumit nga operatorët përgjegjës në treg, janë shkaktuar imbalance/devijime të theksuara ndaj sistemit interkonektiv të Evropës Kontinentale, gjatë javëve dhe muajve të fundit, për ketë shkak u bën thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike.

“Qendra Koordinuese për Evropën Kontinentale në kuadër të ENTSO-E (SwissGrid) si dhe Grupi Regjional i Evropës Kontinentale (RGCE) trup i ENTSO-E i kanë tërhequr vërejtjen KOSTT/Kosovës si Zonë Rregulluese, për ndërprerjen e menjëhershme të devijimeve ndaj rrjetit interkonektiv evropian”,njofton KOSST.

Po ashtu, KOSTT bën të ditur që konsumi i energjisë elektrike në Kosovë në këtë periudhë (korrik-gusht 2022) sillet nga 337 MW deri në pikun e ngarkesës prej 792 MW, ndërsa gjenerimi I përgjithshëm i energjisë elektrike në vend aktualisht është rreth 540 MW.

Sipas KOSTT në përputhje me përgjegjësitë ligjore janë të obliguar që të ndërmarrin të gjitha veprimet për të balancuar sistemin në varësi nga konsumi, gjenerimi dhe importi i siguruar nga palët përgjegjëse brenda Zonës Rregulluese të Kosovës për të mos cenuar sigurinë e operimit paralel me rrjetin interkonektiv Evropian.

“Rrjedhimisht, me qëllim të balancimit të sistemit në kushtet e pamjaftueshmërisë së furnizimit sipas masave dhe procedurave operative që parashihen me Kodin e Rrjetit, KOSTT ka udhëzuar nga sot fillimin e zbatimit të kufizimit në furnizim si masë e fundit, deri në stabilizim të situatës, me qëllim të ruajtjes së integritetit të sistemit dhe kontribuar në balancimin e Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës dhe të sistemit interkonektiv të Evropës Kontinentale”, thekson KOSST.

KOSST thotë se gjendja e krizës energjetike me të cilën po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës si reflektim i krizës globale energjetike kërkon mirëkuptim dhe mobilizim të të gjithë faktorëve andaj krahas angazhimit që po e bëjnë institucionet përgjegjëse, këshillohet edhe kontributi i qytetarëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale për aq sa është e mundur.

Shpërndaje në: