KQZ certifikon listën përfundimtare për zgjedhjet lokale, rreth 90 mijë votues më shumë

Periskopi.com Lajme

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka certifikuar sot listën përfundimtare të votuesve.

Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit do të kenë të drejtën e votës rreth 1 milion e 885 mijë qytetarë, ndërsa rreth 24 mijë votues do të jenë të rinj për dallim nga zgjedhjet e fundit të parakohshme. Gjithashtu, në listën zyrtare të votuesve janë përfshirë edhe 90 mijë votues që zgjedhjet e fundit kanë votuar jashtë vendit.

Këto detaje në mbledhjen e sotme të KQZ-së i bëri të ditura Arianit Elshani nga Këshilli për Operacione Zgjedhore.

“Lista përbën 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve që është për 90 mijë votues më shumë në krahasim zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës që janë mbajtur më 14 shkurt. Kjo shifër mund të konsiderohet e lartë, mirëpo arsye prapa kësaj qëndron për shkak se personat që kanë votuar në zgjedhjet fundit jashtë vendit, kësaj radhe janë transferuar brenda listës së Kosovës dhe kemi vetëm 15 mijë që janë në listën të votuesve jashtë vendit. Në raport me votuesit e rinj që do të kemi për zgjedhjet e 17 tetorit janë 24 mijë votues të rinj që kanë arritur moshën 18-vjeçare dhe do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet lokale”, tha Elshani.

KQZ në mbledhje e sotme certifikoi kandidatin e ri të Partisë Balliste për kryetar të Pejës, derisa u tha se PDK-ja nuk ka dërguar emër për kandidaturë tjetër në këtë qytet, pas incidentit që ndodhi javën e kaluar, ku humbi jetën Astrit Ademaj.

Drejtori i Zyrës Certifikim dhe Regjistrim të partive politike, Yll Buleshkaj tha po ashtu se edhe një kandidat nga radhët e Listës Serbe në komunën e Kllokotit duhet të decertifikohet për shkak të problemeve me Ligjin për Zgjedhjet.

“Kandidati për kryetar në komunën e Pejës ka ndërruar jetë, deri sot i është dhënë kohë që të dërgojë kandidatin zëvendësues, e njëjta mundësi i është krijuar edhe PDK-së për kandidatin për kryetar të komunës së Pejës. Në afatin e përcaktuar kemi pranuar aplikacioni vetëm për kandidatin për kryetar komune nga Partia Balliste… Sot kemi pranuar një informacion nga KGJK-ja që një kandidat të cilin e kemi certifikuar më herët tash është gjetur se ka një vepër të formës së prerë. Në këtë formë i pamundësohet kandidatura për zgjedhje, fjala është për kandidatin Zharko Dojanoviq. Partia politike nga e cila vjen ky kandidat i është dhënë informata porsa është pranuar dhe të njëjtin kanë kohë deri nesër për zëvendësim”, tha Buleshkaj.

Përgatitjet e KQZ-së për zgjedhjet lokale i bëri të ditura kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj.

“Është përgatitur shkresa dhe i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për t’i dhënë mundësi sipas listës për nominim për t’u vaksinuar të gjithë stafit që nominohen nga partitë politike për të punuar në ditën e zgjedhjeve… për qendrën e votimit salla “1 tetori” që aktualisht është qendër e vaksinimit, Sekretariati ka identifikuar lokacionin për transferimin e qendrave të votimit në Prishtinë. Pra në situatën aktuale është e pamundur që objekti të rikthehet për shfrytëzim dhe përdorur për ditën e zgjedhjeve. Kemi kërkuar si alternativë vendvotime apo qendra që janë në afërsi të këtij objekti”, tha ai.

Me rastin e diskutimit për doracakun e trajnimit të zgjedhjet lokal, Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk duhet të ketë më rinumërime në Qendrën e Numërimit pa asnjë pasojë juridike.

“Nuk do të ketë rinumërime në qendrën e numërimit pa asnjë pasojë dhe përgjegjësi. Ne kemi pas raste ku krejt FPR-ja ka shkuar pa asnjë nënshkrim ose nuk kanë qenë të lexueshme”, tha Kurteshi.

Për mbajtjen ose shtyrjen e zgjedhjeve lokale pritet të diskutohet edhe sot në takimin e presidentes Vjosa Osmani me partitë politike./KP