KQZ: Procesi zgjedhor po vijon normalisht, nuk është paraqitur ndonjë incident që do t’i dëmtonte zgjedhjet

Periskopi.com Lajme

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka bërë të ditur se duke u mbështetur në informacionet e komisioneve komunale të zgjedhjeve procesi i votimit është duke vijuar normalisht dhe nuk është paraqitur ndonjë incident që do të dëmtonte procesin zgjedhor.

Radoniqi në konferencën e dytë për media të KQZ-së tha se sipas të dhënave preliminare nga 98 për qind e vendvotime numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në ora 11:00 është 8.2 për qind apo rreth 152 mijë votues.

“Në të njëjtën kohë në zgjedhje lokale të 2017 kishin votuar 10.34 për qind”, tha ai.

Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe mbyllen në ora 19:00, ndërkaq në këto zgjedhje janë 166 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave, 152 meshkuj dhe 14 femra.

Numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5,198, prej tyre 3,261 meshkuj dhe 1,937 femra.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5,364.

Ndërkaq, lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.