KQZ vendos të hetohen 225 vendvotime

Periskopi.com Lajme

Mbi nëntë mijë pako me fletëvotime nga diaspora janë aprovuar, ndërkaq janë refuzuar mbi një mijë të tjera. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vlerësuar rreth 11 mijë të supozuara me vota për zgjedhjet komunale.

Në mbledhjen e së shtunës u tha se numërimi i tyre do të fillojë shumë shpejt. Kurse, janë 225 vendvotime që do të hetohen dhe krahasohen me të dhënat e shënuara në vendvotim.

Shefi i sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se procesi i vlerësimit të këtyre pakove ka përfunduar para tri ditësh.

“Si shifra pas vlerësimit të pakove të supozuara, proces i cili ka filluar me 17 tetor dhe është përfunduar para tri ditësh, rezulton se janë 10 mijë e 934 zarfe me fletëvotime të ardhura përmes postës. Numri i pakove të aprovuara është 9610, ndërsa numri i pakove të refuzuara është 1324. Ju informoj se pranimi i votave me postë është bërë në QNR me datën 21 tetor dhe ditëve në vijim do të filloj procesi i numërimit të votave me postë”, ka thënë Ahmetaj.

Ahmetaj po ashtu ka thënë se gjatë ditës së shtunë do të fillojë procesi i verifikimit apo krahasimit të rezultateve të shënuara në formularë me rezultatet e kandidatëve.

“Sot do të fillojë po ashtu procesi i verifikimit apo krahasimit të rezultateve të shënuar në formularë të rezultateve të kandidatëve, përkundrejt rezultateve të shënuara në fletët llogaritëse të kandidatëve. Ky hetim do të bëhet me masën 10 për qind dhe nga barazimet tatale rezulton se janë 255 vendvotime të cilat do të hetohen dhe do të krahasohen me të dhënat që janë shënuar në vendvotim me qëllim që të shohim se sa kanë qenë të sakta rezultatet e shënuara në formularët e rezultateve të kandidatëve”, ka njoftuar ai./kp