Krasniqi: Ditën e Çlirimit ua urojmë themeluesve të UÇK-së, të cilët padrejtësisht sot nuk janë pranë nesh

Periskopi.com Lajme

I pari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është deklaruar lidhur me 23-vjetorin e çlirimit të Kosovës nga okupatori serb

Në një postim në Facebook, Krasniqi ka uruar themeluesit e UÇK-së – Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin “të cilët padrejtësisht sot nuk janë pranë nesh” .

Ai tha se 23 vjet më parë iu dha fund përgjithmonë robërisë dhe vuajtjeve shekullore të popullit të Kosovës.

Pasardhësi i Hashim Thaçit e Kadri Veselit u shpreh falënderues ndaj NATO-s, SHBA-ve dhe shteteve tjera demokratike.

Postimi i plotë:

Sot, Kosova shënon Ditën e Çlirimit. 23 vjet më parë, iu dha fund përgjithmonë robërisë e vuajtjeve shekullore të popullit tonë.

23 vjet më parë, për Kosovën nisi një kohë e re, e lirisë, që i hapi rrugë ndërtimit e zhvillimit të vendit. Kështu, rindërtuam shtëpitë e djegura, shkollat e reja, rrugët e autostradat, por edhe administratën, policinë e ushtrinë.

Jetësuam bashkë ëndrrën e shumë brezave për shtet e pavarësi. Për Kosovën e lirë e me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj.

Në këtë rrugëtim, u jemi falënderues përjetësisht miqve që na dolën krah, NATO-s e SHBA-ve dhe shteteve të tjera demokratike.

Por, posaçërisht sot, përkulemi para sakrificës së shumë brezave të dëshmorëve, martirëve, të burgosurve, veprimtarëve e intelektualëve shqiptarë, që u angazhuan ditë e natë për këtë ditë.

Nderojmë me respektin e përjetshëm luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heronjve tanë, që Kosovën e kishin më të shtrenjtën.

Sot, këtë ditë të bekuar, ua urojmë edhe themeluesve të UÇK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe çlirimtarëve të tjerë, të cilët padrejtësisht sot nuk janë pranë nesh.

Këto sakrifica shekullore, që po vazhdojnë edhe sot, na rikujtojnë vazhdimisht çmimin e lartë të lirisë dhe obligimin që kemi për ta çmuar e për ta ruajtur atë.

Urime Dita e Çlirimit, Kosovë!