Krasniqi i MAPL: S’di çka kanë folur komuna e Prishtinës e Sunny Hill, ne kemi pranuar veç një lëndë

Krasniqi i MAPL: S’di çka kanë folur komuna e Prishtinës e Sunny Hill, ne kemi pranuar veç një lëndë

“Sunny Hill” s’do të mbahet në Prishtinë, por a mund t’i lëshohej festivalit një leje e zakonshme, si më herët, në mënyrë që ngjarja të mbetej në Kosovë, së paku edhe sivjet? Nënkryetarja e Prishtinës tha se kishte një propozim të tillë; Ministri i Administrimit të Pushtetit lokal e mohon këtë.

Festivali “Sunny Hill” nuk do të mbahet në Kosovë. Tirana sivjet do të jetë nikoqire e kësaj ngjarjeje. Për këtë, Qeveria dhe organizatorët po ia hedhin fajin njëri-tjetrit.

Dukagjin Lipa, babai i këngëtares Dua Lipa njoftoi të martën “me keqardhje dhe dëshpërim të madh” se u detyruan ta zhvendosnin festivalin në Shqipëri për shkak të Qeverisë së Kosovës.

Në valën e reagimeve të para, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal u detyrua të reagojë. Komuna e Prishtinës ishte pajtuar paraprakisht t’ia jepte festivalit “Sunny Hill” një tokë prej 17 hektarësh për shfrytëzim për 99 vjet, por MAPL kërkoi sqarime shtesë, të cilat tha se nuk i mori.

Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu tha se MAPL po mashtronte, sepse, sipas saj, në tavolinë ishte edhe propozimi që festivalit “Sunny Hill” t’i ndahej një hapësirë me infrastrukturën e nevojshme, për të cilën do të merrej leja e shfrytëzimit për 30 ditë.

Këtë e ka mohuar ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Ai i tha Gazetës Express se në dikasterin që ai e udhëheq nuk ka shkuar ndonjë propozim i tillë.

“Sigurisht që jo”, tha ministri.

“Sinqerisht nuk e di çfarë është diskutuar në mes të komunës dhe kompanisë. Te ne në MAPL është veç një lëndë e komunës për të cilën kemi derguar sqarime”, tha Krasniqi.

Sipas nënkryetares së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, MAPL thjesht nuk donte ta lejonte mbajtjen e këtij festivali në Kosovë.

“Pse heshti MAPL në propozimin e Sunny Hill për mos me marrë asnjë copë tokë vetëm ta ketë një hapësirë me infrastrukturë për festival si duhet që merr leje dhe e shfrytëzon 30 ditë? Mos mashtroni. Nuk deshtët”, shkroi Sahatçiu në Twitter.

Reagime të ashpra vërshuan pasi “Sunny Hill” njoftoi zyrtarisht për tërheqjen nga organizimi në Prishtinë. Partitë opozitare e konsideruan “skandal” dhe “të pabesueshëm” faktin që festivali u tërhoq.

“Datat e njëjta, përvojat e njëjta, lokacioni i ndryshëm. Këtë gusht (për shkak të vonesave nga institucionet për të lëshuar lejet e nevojshme për lokacionin), ne detyrohemi të zhvendosemi në Tiranë. Duam t’ju informojmë të gjithë ata që tashmë kanë bileta, se ato vlejnë për Sunny Hill Festival 2022 – Edicioni në Tiranë, ndërkaq ata që e kanë të pamundur të marrin pjesë në Tiranë, kanë mundësinë që t’i marrin paratë e tyre. (Datat për tërheqje të parave hapen nga 1 gushti deri me 15 gusht). Më shumë detaje dhe instruksione do të jepen ditëve në vazhdim. Tiranë, po vimë!”, u tha në njoftimin e festivalit.

Dukagjin Lipa, organizator dhe themelues i “Sunny Hill” publikoi në Facebook një letër të cilën tha se ia kishte dërguar presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, ministrave Elbert Krasniqi dhe Hajrulla Çeku, kryediplomates Donika Gërvalla – Schwarz dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

“Me anë të këtij njoftimi, me keqardhje dhe dëshpërim të madh, ju lajmërojmë se për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin, nga ana e MAPL, edicioni i këtij viti i festivalit Sunny Hill nuk do të mund të mbahet në Prishtinë”, thuhet në krye të letrës së Lipës.

Shumë shpejt, në Shqipëri njoftuan me entuziazëm të madh që festivali “Sunny Hill” ishte zhvendosur atje. Fillimisht, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj reagoi në Instagram, duke shpërnarë njoftimin e “Sunny Hill”.

Edhe më i lumtur për këtë u duk kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“LAJM I MIRË. Festivali “Sunny Hill” vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre. S’ka si Tirona jo”, shkroi Rama.

Shpërndaje në: