Krasniqi: Inspektorati për administratën që po e do Qeveria, duket si polici për disiplinë dhe shantazh
Njohësi i çështjeve juridike dhe kushtetuese, Albert Kransiqi, ka kritikuar projektligjin e Qeverisë Kurti për të themeluar një Inspektorat i cili do të hynte në zyret e zyrtartëve publik në administratë pa leje, pa paralajmërim dhe do t’i kontrollonte.
Për z.Krasniqi, ky projektligj është një synim për shantazh ndaj zyrtarëve publik në administratë.
Shkrimi i plotë i z.Krasniqi:
Reformimi i administratës publike në Kosovë është i nevojshëm. Përveçse e mbingarkuar, në shumë raste rekrutimi është bërë në baza klienteliste dhe nepotiste.
Në Projektligjin për Inspektimin Administrativ, Qeveria ka planifikuar të themeloj një inspektorat, që përmes inspektorëve të saj do të kontrolloj dhe disiplinoj zyrtarët publik e të gjithë administratës shtetërore.
Këta inspektorë kanë të drejtë të hyjnë në zyrën e secilit zyrtar publik dhe të kenë qasje në pajisjet e tyre pa paralajmërim, pa leje dhe pa marrë parasysh orarin e punës. Inspektimi mund të zgjasë 30 ditë, e për raste të veçanta edhe më shumë. Mund të ketë edhe ri-inspektim.
Gjatë procesit të inspektimit, inspektorët kontrollojnë dhe mund të marrin të gjithë dokumentacionin, të intervistojnë palët dhe dëshmitarët, të fotografojnë persona, të kopjojnë audio-video incizime dhe dokumente të tjera.
Inspektorati ka kompetencë të iniciojë procedurë disiplinore kundër zyrtarëve publik, të shqiptoj gjobë (500-700 euro), gjoba mund të shqiptohet disa herë radhazi, të ndërpres punën e zyrtarit publik.
Ankesën e zyrtarit publik e shqyrton niveli politik, respektivisht një komision i emëruar nga Ministri i Punëve të Brendshme. Në rast se raportimi konsiderohet i rrejshëm, shpenzimet e procedurës i ngarkohen palës.Ky inspektorat më shumë të ngjanë në një polici të brendshme që ka për qëllim të shantazhoj dhe ushtroj presion psikik mbi zyrtarët publik, sesa që ka për qëllim vendosjen e rregullsisë në administratës publike. Të gjitha fushat e inspektimit aktualisht janë të mbuluara përmes ligjeve të tjera.
Lexo më shumë rreth kësaj teme: Qeveria synon Inspektorat që hyn te zyrtarët publik në administratë pa i njoftuar, kontrollon dhe gjobit (Dok)