Krasniqi nga Shoqëria Civile: Vendimi i Qeverisë, abuzim me resurset shtetërore

Periskopi.com Lajme

Anëtari i Shoqërisë Civile dhe analisti Albert Krasniqi po ashtu e sheh vendimin e Qeverisë së Kosovës për “dyfishimin e pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale” të lidhur me zgjedhjet lokale.

Krasniqi madje e quan “rast tipik i abuzimit me resurset shtetërore për përfitime të partisë në pushtet” vendimin që sot e mori Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin.

Vetëvendosje është në balotazh në 12 komuna të Kosovës, përcjell Periskopi.

“Aq më keq, kur për forma të tilla të abuzimit keni kritikuar qeveritë e kaluara – keni kërkuar mbështetje për të vepruar ndryshe – dhe tani kur e keni rastin, e bëni pikërisht të njëjtën.” – ka shkruar z. Krasniqi.

Analisti shton se tashmë qeverisë i ka mbetur ta premtojë bërjen komunë të Zhegrës dhe Zhurit, siç kishte bërë Hashim Thaçi.

Statusi i plotë:

Vendimi i Qeverisë – në kohë të fushatës zgjedhore – për dyfishimin e pagesës për përfituesit e skemës së ndihmës sociale për dy muaj; dhe për ndarjen nga 100 euro shtesë për pensionistët për një muaj; është rast tipik i abuzimit me resurset shtetërore për përfitime të partisë në pushtet. Kësisoj, dëmtohet procesi zgjedhor përmes krijimit të pabarazisë zgjedhore me partitë tjera në opozitë.

Aq më keq, kur për forma të tilla të abuzimit keni kritikuar qeveritë e kaluara – keni kërkuar mbështetje për të vepruar ndryshe – dhe tani kur e keni rastin, e bëni pikërisht të njëjtën.

Ka mbetur vetëm edhe të premtohet që Zhegra dhe Zhuri do të bëhen komuna.