Krasniqi: Nuk është demokratike që dy partitë më të mëdha të bëjnë koalicion

Krasniqi: Nuk është demokratike që dy partitë më të mëdha të bëjnë koalicion

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, tha se kjo parti nuk ka ndonjë ofertë serioze për t’u bërë pjesë e koalicionit.

Krasniqi ka deklaruar  se janë përcaktuar që të jenë pjesë e Kuvendit, si pjesë opozitare.

Ai pati kritika për KQZ-në lidhur me administrimin e zgjedhjeve.

“Sovrani e ka kryer punën e vet më së miri, por si duket administrimi i këtyre zgjedhjeve nuk ka qenë më i miri i mundshëm dhe u krijua pastaj bindja se Nisma po hynë apo jo në Kuvend, kjo me një vendim të gabueshëm të KQZ-së i cili i dha rezultatet për deputetë që në fakt certifikimi do të duhej të bëhej pasi të mbyllen të gjitha kërkesat dhe ankesat që ekzistojnë tek pastaj të jepet rezultati zgjedhor dhe në bazë të kësaj disa parti menduan që Nisma nuk po hynë në Kuvend dhe nuk pat ndonjë interesim të partive që mendonin se po e bëjnë koalicionin që të komunikojnë përveç atyre dy partive edhe me ndonjë parti tjetër në këtë rast me Nismës, kjo nuk ndodhi, dhe mund të them se nuk kemi ndonjë ofertë serioze për t’u bërë pjesë e koalicionit. Ne jemi përcaktuar si Nismë që të jemi pjesë e Kuvendit, por pjesë opozitare e Kuvendit”, tha Krasniqi për Ekonomia Online.

Megjithëse thotë se VV-ja dhe LDK-ja janë dy partitë më të mëdha që dolën fituese në zgjedhje, sipas ish kryeparlamentarit, kjo në botën demokratike nuk ndodh që dy partitë fituese që dalin të parat të formojnë Qeverinë.

Krasniqi tha se në demokraci parlamentare koalicionet nuk bëhen ndërmjet dy partive më të mëdha, por bëhen në mes partisë më të madhe që i ka fituar zgjedhjet dhe partisë së dytë, të tretë apo të katërt.

“VV-ja dhe LDK-ja janë dy partitë më të mëdha që kanë dalë nga zgjedhjet, mund të themi se janë partitë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit të 2019-tes, zakonisht në botën demokratike, në demokraci parlamentare koalicionet nuk bëhen ndërmjet dy partive më të mëdha, por bëhen në mes partisë më të madhe që i ka fituar zgjedhjet dhe partisë së tretë apo të katërt, por jo me të dytën, zakonisht partia e dytë është opozitë. Megjithatë në këtë rrafsh për shkak të komunikimit të deritashëm është gati e pamundshme që koalicioni të bëhet ndërmjet partisë së parë dhe të partisë të tretë apo tjerave kështu që është orientimi që të bëhet ndërmjet dy partive më të mëdha fituese, ata i kanë disa pengesa, të shikohej realisht pas një jave të certifikimit të këtyre zgjedhjeve është dashur të arrihej marrëveshja për qeverisje”, tha Krasniqi për Ekonomia Online.

Ai ka treguar se në bazë të Kushtetutës partisë së parë që del fituese në zgjedhje i takon pozita e kryetarit të Kuvendit ndërkaq për pozitën e Kryeministrit tha se jo gjithherë është e përcaktuar ngase ka pasë raste kur këtë pozitë e ka marrë një parti tjetër në koalicion me partinë fituese.

“Sipas Kushtetutës, partia që del e para në zgjedhje i përket edhe çështja e Kryetarit të Kuvendit, edhe çështja e Kryeministrit jo gjithherë është e përcaktuar që t’i takojë partisë së parë për faktin se ne kemi pasë raste kur partia e parë nuk e ka pasë kryeministrin, e ka pasë një parti që ka hy me të në koalicion, megjithatë edhe çështja e kryeministrit po të shikohej me Kushtetutë  e drejta e parë e propozimit i jepet partisë që ka dalë numerikisht më e madhe në zgjedhje. Në këto raste duhet një marrëveshje në mes të partive që e bëjnë koalicionin”.

Sa i përket takimit të anëtarit të Vetëvendosjes, Xhelal Sveqla me Drejtorin i Ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se fotografia nuk do të duhej të bëhej lajm, por biseda dhe rezultatet e takimit.

 

Shpërndaje në: