Krasniqi për pandeminë: Dështimi politik i Qeverisë po i kushton shëndetit të qytetarëve

Krasniqi për pandeminë: Dështimi politik i Qeverisë po i kushton shëndetit të qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për gjendjen e pandemisë COVID 19, ka kritikuar Qeverinë për faktin që nuk po shqetësohet për menaxhimin shpërthimit të valës së re të pandemisë.

Krasniqi tha se masat e ndërmarra nga Qeveria janë jopraktike dhe paradoksale.

Ai tha se qeveria aktuale në njërën anë ka vendosur barriera të lloj llojshme për të pa vaksinuarit, por barrierave të njëjta ju kanë nënshtruar pa kurrfarë dallimi edhe të vaksinuarit.

“Vendosja e masave të tilla për hyrje në Kosovë vetëm me tre doza të vaksinimit, veçmas ndaj bashkëkombësve tanë të brezit kufitar me Shqipërinë, Maqedoninë dhe Luginën e Preshevës që deri dje kanë qarkulluar e punuar krejt normalisht, duke i penalizuar ata, përbën një lloj absurdi të pakuptimtë, të cilit as nuk mund ti themi i paqëllimshëm. Dhe kur e mendon që këtë masë e ka vendosur një qeveri e cila nuk ka qenë në gjendje ta prodhojë deri më sot as edhe një video tutoriale për dobinë e vaksinës, e cila nuk është në koordinim as me institucionet shëndetësore botërore e as me rrjedhat aktuale në menaxhim të pandemisë. Kjo dëshmon se qeveria jonë, masat kundër COVID it, gjithmonë i ka ndërmarrë nga impulsi i frikës, e jo menaxhimit.”, tha ai.

Lideri i PDK-së kritikoi Qeverinë për planifikim jo adekuat të mënyrës së vaksinimit dhe për përgjysmimin e buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë, që ia pamundëson ministrit Latifi që të ndërmarrë masa adekuate e përgatitore, në rast të shtimit të fluksit të pacientëve me COVID nëpër spitale tona.

“Ne konsiderojmë se është koha e fundit që të ketë një reflektim të thellë rreth asaj çfarë ka ndodhë e çka mund të shtrihet para nesh. Të ketë një vendimmarrje serioze e të bazuar në plan, jo në frikën tuaj se si mund t’iu gjykojë historia. Sepse po flasim për situata konkrete që kërkojnë vendimmarrje të përgjegjshme. Në fund të fundit, dështimi me menaxhimin adekuat të situatës me pandeminë, nuk është dështim politik. Është dështimi juaj politik që këtë menaxhim e shndërron në dështim shtetëror dhe kjo pastaj, nuk ka kosto vetëm për shtetin, por edhe për shëndetin e qytetarëve, mbrojtja e jetës të së cilëve do të duhej të ishte në qendër të çdo vendimi e veprimi në këtë kohë.”, theksoi Krasniqi.

Ai tha se po shihet qartë se Qeveria nuk ka kontroll mbi masat, as mbi COVID in e as mbi vetveten dhe e ka ftuar të reflektojë seriozisht ndaj kësaj gjendjeje.

Shpërndaje në: