Krasniqi për vendimin e Apelit: U lehtësuan 450 mijë familje nga shtrenjtimi i rrymës

Periskopi.com Lajme

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila ka refuzuar ankesën e ZRRE-së si dhe ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë në lidhje me tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur i lumtur për vendimin.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike për familjet kosovare nga ana e Qeverisë dhe ZRRE-së, ka qenë vendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm. Sot, kemi mirëpritur vendim e Gjykatës së Apelit, përmes së cilit është ri konfirmuar se ai vendim ka qenë edhe i kundërligjshëm”, tha Krasniqi nëpërmjet një postimi në faqen e tij në Facebook.

Kryeopozitari tha se është shumë i lumtur që “qëndrimi parimor i PDK-së për ligjshmëri e në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve si konsumatorë”, sot i ka lehtësuar nga barra e atij vendimi rreth 450 mijë familje kosovare.

“Njëkohësisht, jam shumë falënderues ndaj të gjithë atyre që kanë besuar në këtë kauzë, të cilën ne e kemi ndjekur ligjërisht për të mbrojtur interesin publik dhe qytetarët si konsumatorë”, tha ai.

Krasniqi tha se partia e tij do të qëndrojë në anën e qytetarëve kundër çdo “vendimi të kundërligjshëm e të padrejtë të pushtetit”.

PDK për këtë çështje kishte dorëzuar lëndën në Gjykatë Themelore në Prishtinë. e cila i dha të drejtë dhe tani vendimi i Gjykatës së Apelit ka rikonfirmuar atë.