Krejt çka kërkoi Hashim Thaçi për reformën zgjedhore, ku opozita nuk shkoi

Krejt çka kërkoi Hashim Thaçi për reformën zgjedhore, ku opozita nuk shkoi

Presidenti Thaçi kërkoi që të nis puna për përfundimin e reformës elektorale në Kosovë, që të gjendet një sistem elektoral më i përshtatshëm për nevojat e Kosovës.

Duke marrë parasysh që Kosova është shtet i ri në ndërtim dhe konsolidim, presidenti Thaçi ka thënë se reformat zgjedhore janë edhe më komplekse, sepse edhe kultura politike për ndërtimin e demokracisë përfaqësuese është më e zbehtë.

“Në Kosovë ka nevojë për një debat të hapur dhe të gjerë, për të diskutuar për zgjedhjet, për sistemin zgjedhor dhe mënyrën e votimit të cilën qytetarët e saj synojnë ta realizojnë”, ka thënë presidenti Thaçi, raporton Periskopi.com

Për të reformuar sistemin zgjedhor, presidenti ka thënë se në radhë të parë duhet bërë reformën ligjore.

Këto ndryshime, sipas presidentit Thaçi, duhet të përfshijnë edhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit, përcaktimin mes një zone zgjedhore apo më shumë zonave zgjedhore në Kosovë, në mes të listave të hapura apo të mbyllura, si dhe përcaktimi për pragun elektoral, të mbetet 5 për qind apo të ulet.

“Të gjitha këto masa duhet të bëjnë procesin e votimit më të lehtë dhe më të drejtë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka dhënë edhe propozimin për uljen e numrit të deputetëve nga 120 sa janë tash, në 100, si dhe ndarjen e nga një ulëse edhe për komunitetin malazez dhe kroat, të cilët nuk janë të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.

Në këtë takim, pikëpamjen e Partisë Demokratike të Kosovës për reformën zgjedhore e ka shpalosur zëvendëskryetari i saj, Enver Hoxhaj, i cili ka thënë se Kosova ka një kontekst të brendshëm krejt tjetër prej asaj që kemi pasur deri më tash.

“Sistemi aktual politik, sistemi aktual kushtetues, por edhe sistemi aktual zgjedhor është produkt i një faze të hershme të krijimit të shtetit të Kosovës. Kjo fazë e re duhet të reflektohet edhe në përmirësimin e sistemit zgjedhor. Në proces e sipër, ne besojmë se do të dalim me propozime konkrete se si e shohim sistemin zgjedhor në Kosovë”, ka thënë Hoxhaj.

Ndërsa, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Lidhja Demokratike është përkrahëse e ndryshimeve dhe e reformave të cilat konsiderohen të nevojshme të bëhen, në mënyrë që edhe zgjedhjet lokale që janë më pak se një vit larg, edhe ato qendrore që janë pas një viti e gjysmë, të përgatiten me kohë, duke i shfrytëzuar të gjitha instancat e domosdoshme konsultative, përfshirë edhe komisionin e Venedikut në këtë proces, për t’i përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.

“Reforma është në dobi të të gjithëve, pa marrë parasysh kush merr pjesë sot dhe kush jo. Ne duhet të punojmë bashkërisht që të gjejmë një zgjidhje për të gjithë”, ka thënë lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Pjesë e takimit konsultativ për reformën zgjedhore ishin përfaqësuesit e 15 subjekteve politike, parlamentare dhe atyre joparlamentare, që përfaqësojnë të gjitha komunitetet e Kosovës, pastaj përfaqësuesit e ambasadës së SHBA-ve, ata të Zyrës së BE-së, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, kryetarja e KQZ-së, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile. / Periskopi

Shpërndaje në: