Krejt çka tha Vuçiqi pas mbledhjes së K. Sigurisë: Asociacioni, ‘pushtimi’, ultimatumi, kërcënimi

Krejt çka tha Vuçiqi pas mbledhjes së K. Sigurisë: Asociacioni, ‘pushtimi’, ultimatumi, kërcënimi

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka mbledhur sot në mëngjes Këshillin e Sigurisë Kombëtare të këtij vendi pas operacionit policor të Kosovës në pikat 1 dhe 31 në veri të vendit për punën e targave.

Por, çka tha Vuçiqi?

Ndër tjerash, ai u shpreh se Kosova duhet t’i ndryshojë  vendimet e saj “të këqija” ose në të kundërtën do të merren masa të ashpra. Sidoqoftë, ai nuk tregoi se për çfarë masash e kishte fjalën.

“Ne duam t’i ofrojmë kohë shtesë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre të këqija. Nëse jo, ne do të marrim masa”, tha Vuçiq, përcjell Periskopi.

Ai e quajti “pushtim” të veriut të Kosovës aksionin policor të Kosovës dhe kërkoi tërheqjen e trupave.

Por, përkundër kërcënimit me masa, Vuçiq megjithatë u mundua të paraqitej edhe si rojtar i paqes.

Vuçiq tha se Serbia do të kërkojë një përgjigje urgjente nga Bashkimi Evropian nëse marrëveshja e Brukselit është e ligjshme ose jo dhe se kur do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Çështja e Asociacionit [Zajednica] shihet se mund të jetë e ndërlidhur me aksionin në veri, çka mund të përbëj problem real për funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

“Në muajin e ardhshëm, ne do të kërkojmë një përgjigje dhe heshtja e mundshme do të jetë një shenjë e qartë për ne se marrëveshja nuk ekziston dhe se ata nuk duan që ajo të pranohet”, tha Vuçiq.

Vuçiq po ashtu u shreh se ka refuzuar një  zgjidhje kompromisi nga një shtet i fortë për situatën.

Qytetarët serbë në veri vazhdojnë të protestojnë duke bllokuar rrugët që çojnë në pikën 1 dhe 31 kufitare, Jarinje dhe Bërnjak.

Shpërndaje në: