Kremlini: Nëse Ukraina sulmon rajonet pas referendumit, atëherë është sulm ndaj Rusisë

Kremlini: Nëse Ukraina sulmon rajonet pas referendumit, atëherë është sulm ndaj Rusisë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të premten se territoret që aktualisht kontrollohen nga forcat ruse dhe që po mbajnë të ashtuquajturit “referendume për t’iu bashkuar Rusisë”, mund të bëhen shpejtë pjesë e Rusisë, shkruan CNN, përcjell Periskopi.

Referendumet janë dënuar ashpër nga qeveritë perëndimore dhe nga Kievi dhe janë cilësuar si jolegjitime.

Disa pjesë të Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhias dhe Khersonit- që janë të okupuara nga Rusia ose nga forcat pro-ruse- kanë filluar referendumet për t’u larguar nga Ukraina dhe për t’iu bashkuar Federatës Ruse.

Duke folur për gazetarë të premten, Peskov përmendi se cilat hapa do të ndërmirren nga Rusia nëse këto rajone votojnë për t’iu bashkuar Rusisë.

“Natyrisht se do të kërkohen diskutime nga parlamenti dhe presidenti, si dhe nënshkrime të dokumenteve të nevojshme. Këto janë procedura”, tha Peskov.

I pyetur nëse çfardo lloj tentimi nga Ukraina për t’i rifituar këto territore do të cilësohet si një sulm ndaj territorit rus, Peskov tha: “Natyrisht”.

“Nëse kryhet akti i hyrjes së këtyre territoreve brenda Federatës Ruse, atëherë nene të caktuara të Kushtetutës do të aplikohen në ato vende”, shtoi ai. /Periskopi/

Shpërndaje në: